Lajme

Pas kërkesës së Osmanit, BE do monitorojë zgjedhjet në Kosovë


Flamuri i Kosovës dhe Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian do të jetë prezentë me mision të plotë të vëzhgimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në Kosovë me datën 17 tetor të këtij viti, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar diçka të tillë nga BE-ja.

Misioni i BE-së i cili do të monitorojë zgjedhjet lokale do të punojë deri në certifikimi e rezultati zgjedhor.

Osmani, përmes një letre të dërguar me 18 qershor të këtij viti në adresë të kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, kishte kërkuar nga BE-ja të jetë pjesë e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Sassoli, në letrën dërguar Presidentes Osmani më 13 korrik e ka konfirmuar gatishmërinë e Parlamentit Evropian për të marrë pjesë në monitorimin e zgjedhjeve lokale, si dhe fillimin e menjëhershëm të procedurave përgatitore për këtë proces.

Ndërkaq në letrën e Borrell, të datës 17 gusht, bëhet e ditur se pasi që Parlamenti Evropian t`i nominojë përfaqësuesit e vet, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së do ta emërojë Shefin e Misionit, i cili bashkë me ekipin e ekspertëve do të arrijnë në Republikën e Kosovës gjatë javëve në vijim.

Ndërkaq në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve ishte përbërë nga një numër i vogël i ekspertëve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore