Boterori 2022

Ozil: Kritikat ndaj Ronaldo-s janë vetëm për të fituar klikime dhe vëmendje


Ish bashkëlojtari i Cristiano Ronaldo-s në Real Madrid, Mesut Ozil, ka folur rreth urrejtjes së mediave dhe ish futbollistëve ndaj portugezit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai tha se mediat po përpiqen të marrin klikime, dhe ish lojtarët që nuk kanë më karrierë, duan vëmendje.

“Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se nga vjen ky negativitet i vazhdueshëm nga mediat për Cristiano-n. Mediat thjesht po përpiqen të marrin klikime, dhe të tjerët që nuk kanë më karrierë thjesht duan të tërheqin vëmendjen me emrin e tij të madh dhe të përpiqen për ta bërë atë të duket keq”.

Ai më tej shtoi, se nuk mund të pritet, që Ronaldo të shënojë 50 gola në sezon, pasi është 38 vjeç, dhe se ai do jetë gjithmonë kategori në vete.

“Së shpejti ai është 38 vjeç – pra çfarë është surpriza që ai nuk shënon më 50 gola në sezon? Çdo tifoz futbolli atje duhet të jetë i lumtur që e ka parë atë duke luajtur futboll të klasit botëror për 20 vjet – nuk mendoj se askush nga brezi i ri do të jetë në gjendje të përputhet me shifrat e tij përsëri. Ai do të jetë përgjithmonë kategori në vete”.

Ai përfundoi postimin duke thënë se të gjithë mediat dhe analistët duhet të tregojnë më shumë respekt për një nga sportistët më të mëdhenjë të historisë.

“Të gjithë duhet të tregojnë më shumë respekt për një nga sportistët më të mëdhenj në histori”.

Çfarë ka ndodhur

Ronaldo është sulmuar nga analistët dhe mediat, fillimisht për sezonin e dobët që ka kaluar me Manchester United, i cili ka shënuar vetëm tre gola.

Më pas, ai u kritikua edhe për intervistën me Piers Morgan, ku portugezi sulmoi Manchester United-in dhe trajnerin Erik ten Hag për mos inkuadrimin e tij në lojë.

Së fundmi, ai është kritikuar në media edhe për performancat e tij në Kupën e Botës.

Një nga gjestet që bëri bujë në botën e futbollit, ishte momenti i golit të Bruno Fernandes me Uruguain, ku Ronaldo pretendonte që ka prekur topin me flokë, pa e prekur fare.

Në ndeshjen e fundit, në 1/8 e finales përballë Zvicrës, të cilën e fituan me rezultat 6:1, Ronaldo nuk startoi, dhe u inkuadrua në lojë rreth minutës së 70-të.

Goncalo Ramos, zëvendësuesi i Ronaldo-s në ndeshjen e fundit shënoi hatrick, dhe të gjithë analistët tani po pretendojnë që Portugalia është kombëtare shumë më e mirë pa Ronaldo-n, sesa me të.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore