Lajme

Osmani udhëton drejt Islandës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Rejkjavik të Islandës, ku do të mbaj takim me homologun e saj, presidentin Guoni Th. Jóhannesson.

Gjatë vizitës Osmani do të takohet edhe me kryeministren Katrin Jakobsdottir, kryetarin e Kuvendit Birgir Armannsson dhe ministren e Punëve të Jashtme Thordis Kolbrun Reykfjörd Gylfadóttir.

Vizita e Presidentes është bërë e ditur përmes një komunikate nga Zyra e Presidencës.

Nga ky institucion është thënë se kjo është vizita e parë e një presidenti të Kosovës në Islandë.

“Kjo është vizita e parë dypalëshe e një presidenti të Kosovës në historinë e raporteve në mes Islandës dhe vendit tonë”.

“Në këtë vizitë pune njëditore, temat e diskutimit të Presidentes do të jenë intensifikimi i bashkëpunimit përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës për të shtyrë përpara anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë, thellimi i marrëdhënieve bilaterale me Islandën, avancimi i rrugës euroatlantike të Kosovës, si dhe çështje të tjera të interesit të përbashkët”, thuhet në komunikatë.

Më 22 janar, Osmani kishte udhëtuar drejt Italisë për vizitë në Shtetin e Vatikanit.

Gjatë qëndrimit në Romë, Osmani është pritur nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me të cilin ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit bilateral si dhe rritjen e koordinimit për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe përtej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore