Lajme

Osmani: Statusi i gruas në shoqëri tregon statusin e demokracisë


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj në konferencën dy-ditore të Javës së Gruas, ka potencuar se kanë shumë punë në atë mënyrë që të përmbushet niveli i demokracisë në vend.

Sipas saj, demokracia mund të quhet e mirëfilltë vetëm atëherë kur zëri i secilit dëgjohet, dhe kur askush nuk lihet pas dhe se për Osmanin, gratë dhe vajzat nuk janë vetëm pjesë e shoqërisë, ato janë vetë shoqëria.

“Vetëm një demokraci gjithë përfshirëse është një demokraci e qëndrueshme. Kemi ende shumë punë për të bërë për të përmbushur nivelin e demokracisë në vendin tonë”, ka theksuar Osmani.

“Gratë dhe vajzat shpesh kanë dëshmuar se gjithnjë ia dalin, ato asnjëherë nuk do të dorëzohen. Do të ketë gjithnjë një zë që do të flas për to. Ato nuk do të rreshtin së përdori çdo mjet dhe hapësirë për ti treguar qëndrimet e tyre. Demokracia ka nevojë për të dhëna gjinore sepse vetëm në mënyrë të tillë ka gjasa të vërteta të bëhet gjithëpërfshirëse”.

Presidentja ka folur edhe për zhvillimet në Ukrainë.

“Zhvillimet aktuale po dëshmojnë se demokracia është duke u sfiduar. Kosova dhe populli ynë i ka të freskëta kujtimet e luftës dhe sot zemrat tona rrahin fort kur shohim imazhet në Ukrainë. Sot përderisa flasim për rëndësinë qe mund ta bëjmë për ruajtjen e demokracisë, duhet ta kujtojmë se demokracia triumfon kur qëndron bashkëpunimi”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte pjesmarrës në konferencën e dedikuar për Javën e Gruas, ka potencuar se gratë edhe në luftë edhe në paqe, e kanë barrën e dyfishtë.Sipas tij, shoqëritë iu afrohen autokracive kur gratë janë të përjashtuara nga demokracia.

“Gratë edhe në luftë edhe në paqe e kanë barrën e dyfishtë. Po përpiqemi që brenda Lëvizjes ta forcojmë solidaritetin mes grave. E dimë që burrat e moshës së mesme janë me shumicë në politikë, mirëpo gratë dhe rinia e përbëjnë shumicën e popullsisë”, deklaroi Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi,  gjatë fjalës së tij në Javën e Gruas, ka thënë se ndihet krenar që partia e tij u ka dhënë grave më së shumti hapësirë në vendimmarrje në skenën politike.

“Këtë e them me krenari, me mburrje që në PDK sot pesë zonja të nderuara përfaqësuese tonat udhëheqin pesë asamble komunale, pesë parlamente lokale në komuna tepër të rëndësishme të Kosovës si Prizreni, Mitrovica, Vushtrria, Gjakova, Skenderaj. Përtej kësaj ne kemi emëruar dy nënkryetare komunash, përfshirë edhe kryeqytetin, gjë që s’ka ndodhur më herët as në Prishtinë, as në Gjilan.”, tha ai.

Lideri i PDK-së tha se duhet ende angazhim që pozita e grave në shoqërinë kosovare të shënojë progres për t’u arritur objektivi i përbashkët i politikëbërësve, por, për aq kohë sa ka një rritje të numrit të grave në vendimmarrje përtej formalitetit të pjesëmarrjes në struktura apo në lista kandiduese, përtej përmbushjes së detyrimeve legale që kanë kuotat, Krasniqi beson që janë në rrugën e duhur.

Memli Krasniqi

Në këtë konferencë ka qenë pjesëmarrës edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka potencuar se kur gratë nuk janë të pranueshëm për të ndihmuar në identifikimin dhe marrjen e vendimit, shpesh here ndodh që nuk zgjidhet problemi.

“Vendimmarrja gjithëpërfshirëse sjellë vendime më të mira. Sa më shumë gratë nxiten që të jenë pjesëmarrëse demokracia është më e fortë. Kjo javë e gruas paraqet mundësinë që të ri përkushtohemi për barazinë gjinore”, ka thënë Hovenier.

“Pjesëmarrja e barabartë paraqet një tregues për arritjen e vendit. Në media gratë sulmohen shumë më shpejtë për shkak të dukjes së tyre dhe shpesh përballen me gjuhë seksiste. Unë nuk do të marr pjesë në një panel ku ka vetëm burra, ju premtoj që nuk do ta bëjë këtë, më mbani për fjale”, ka shtuar ai.

Hovenier ka falënderuar Kosovën për përkrahjen ndaj Ukrainës, pas pushtimit rus që po ndodhë atje.

Jeffrey Hovenier

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore