Lajme

Filipinet i bëjnë thirrje SHBA-ve dhe aleatëve të rrisin investimet në vend


Filipinet po i bëjnë presion SHBA-ve dhe aleatëve të saj për të rritur tregtinë dhe investimet në vend pasi përshkallëzimi i tensioneve midis Manilas dhe Pekinit ngjall frikën për pasoja më të gjerë ekonomike.

Siguria ekonomike duhet të bëhet qendrore për marrëdhëniet strategjike që Filipinet po ndërtojnë me aleatët, sipas Alfredo Pascual, sekretar i tregtisë dhe industrisë.

“Është domethënëse, sepse nëse jemi të sigurt ekonomikisht, mund të përballojmë edhe të forcojmë aftësitë tona mbrojtëse. Nëse nuk je i sigurt ekonomikisht, nuk mund të devijosh apo të përdorësh burime për mbrojtje”, ka thënë ai në një intervistë për Financial Times.

“Ne duhet të kemi besueshmëri në qëndrimin tonë të mbrojtjes”, ka shtuar ai.

Deti i diskutueshëm i Kinës Jugore është kthyer në një pikë të madhe ndezjeje midis Filipineve dhe Kinës, partnerit të saj më të madh tregtar.

Anijet e rojës bregdetare kineze në muajt e fundit kanë gjuajtur me topa uji në anijet filipinase dhe kanë plagosur filipinasit, duke rritur tensionet.

Filipinet, të cilat për më shumë se një dekadë kanë mbetur prapa homologëve të Azisë juglindore në tërheqjen e investimeve të huaja, po kërkon fonde për të forcuar infrastrukturën dhe aftësitë e saj prodhuese dhe për të zhvilluar minerale kritike dhe industri të energjisë së pastër.

Teksa Kina nuk ka qenë një burim kryesor i investimeve të huaja direkte, fuqia e saj financiare është e konsiderueshme dhe, ndërsa Presidenti Ferdinand Marcos Jr kërkon të tërheqë më shumë fonde të huaja, administrata e tij po u bën thirrje aleatëve të ndërhyjnë.

Një diplomat ka thënë se ndërtimi i qëndrueshmërisë ekonomike do të siguronte që vendi të mos bëhej i varur nga Kina.

“Nëse ekonomia është e dobët, mund t’ju duhet të bëni kompromis. Siguria dhe ekonomia janë të ndërthurura”, ka thënë ai.

Nën Marcos, Filipinet kanë marrë një qëndrim të sigurt në Detin e Kinës Jugore për të kundërshtuar një Pekin shtrëngues.

Është zotuar të zhvillojë poste ushtarake në ujërat e kontestuara dhe ka forcuar partneritetet e mbrojtjes me aleatët.

Manila gjithashtu ka ndërmarrë publikimin e ndërhyrjes kineze në ujërat që pretendon si të sajat, në një kthesë nga administrata e mëparshme e Rodrigo Duterte, i cili hodhi poshtë aktivitetin detar të Pekinit dhe ndërtoi lidhje më të ngushta me Kinën.

Teksa SHBA-të kanë rritur angazhimin ushtarak me Filipinet, aleatin e saj më të vjetër në Azi, Manila dëshiron më shumë në frontin ekonomik mes tensioneve në rritje.

“Ne po e shikojmë atë gjithashtu në kontekstin e cenueshmërisë sonë ndaj shtrëngimit ekonomik nga Kina”, ka thënë një zyrtar i lartë i qeverisë filipinase.

Mungesa në marrëveshjet tregtare shumëpalëshe dhe ajo që analistët thonë se është një fokus jo proporcional në sigurinë kanë dëmtuar në besueshmërinë si një partner ekonomik – jo vetëm në Filipine, por edhe në Azinë juglindore.

Filipinet kanë rritur thirrjet për një marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA-të, megjithëse Manila vëren se administrata e Presidentit Joe Biden heziton ta ndjekë këtë në një vit zgjedhor.

“SHBA është një partner i rëndësishëm sigurie për shumë vende në rajon, por ky fokus në siguri mund t’i bëjë marrëdhëniet dypalëshe të duken të pa balancuara dhe agresive”, sipas Kevin Chen, studiues i asociuar në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare Rajaratnam në Singapor.

“Përmbushja e nevojave specifike të zhvillimit ekonomik të partnerëve do të tregonte gjithashtu vlerën që Washingtoni u jep marrëdhënieve të tij, në vend që të kujdeset vetëm për nevojat e veta strategjike”.

Një sondazh i prillit nga Instituti Iseas-Yusof Ishak tregoi se Kina i kishte kaluar SHBA-të për t’u bërë rreshtimi i preferuar i zgjedhur në Azinë Juglindore midis dy superfuqive, krahasuar me vitin e kaluar.

“Kina mbetet e padiskutueshme si fuqia ekonomike më me ndikim në rajon dhe gjithashtu vazhdon të shihet si fuqia më me ndikim politik dhe strategjik, duke ia kaluar SHBA-ve në mënyrë të konsiderueshme në të dy fushat”, ka vënë në dukje sondazhi.

SHBA-të u tërhoqën nga Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor gjatë presidencës së Donald Trump dhe nuk është pjesë e Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal, një pakt tregtar i udhëhequr nga Kina.

Në vend të kësaj, Washingtoni po ndjek Kornizën Ekonomike Indo-Paqësore për Prosperitet, një nismë e Bidenit për angazhimin ekonomik me rajonin.

Nëpërmjet G7-ës, SHBA po ofron gjithashtu Partneritetin për Infrastrukturën dhe Investimet Globale (PGII) për vendet në zhvillim si një alternativë ndaj Nismës së Rripit dhe Rrugës së Kinës.

SHBA, së bashku me Japoninë, po mbështesin zhvillimin e korridorit ekonomik Luzon në Filipine si projekti i parë i madh i infrastrukturës.

Në Forumin e fundit të Biznesit Indo-Paqësor në Manila, SHBA premtoi të mobilizonte financimin publik dhe privat për korridorin, i cili përfshin hekurudhat, portet, fabrikat e gjysmëpërçuesve dhe projektet e energjisë së pastër.

“Ne shpresojmë që ky të bëhet një model që ne mund ta përdorim në rajon”, ka thënë Helaina Matza, koordinatorja speciale në detyrë për PGII.

“Nuk është tepër vonë” që SHBA të kundërshtojë dominimin kinez në rajon, ka shtuar ajo.

“Do të marrë kohë”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore