Lajme

Osmani: Në Ballkan mund të ketë tensione – Kosova e Serbia t’i mbyllin temat e mëdha me shpejtësi


Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se paralajmërimi i Presidenti të Ukrainës, Vlodymyr Zelensky se Rusia po përgatitet për “një luftë në Ballkan”, duhet të jetë sinjal për Kosovën dhe Serbinë që t’i mbyllin me shpejtësi temat e mëdha.

“Situata e sigurisë në Ballkan është ende me sfida, nuk besoj që ka një kërcënim eminent për de-stabilizim. Kjo është në bazë të analizave që i bëmë si vende anëtare të NATO-s, edhe si kryesues i OSBE-së, dhe në bazë të gjitha informacioneve bilaterale që kemi. Do të thotë në Ballkan nuk presim ndonjë de-stabilizim që mund të ndodhë, mirëpo sfida e tensione mund të ketë, duhet një vëmendje e veçantë”, tha ai për Kosovapress.

Kryediplomati maqedonas thotë se Ballkani ka “dosje të hapura”, të cilat janë në një mënyrë “potencial për eskalim” dhe sigurisht se ka akterë të cilët do të kishin dashur të defokusojnë opinionin botëror me “një krizë të re në Ballkan”.

Prandaj, ai insiston që zbatohet marrëveshje e Brukselit/Ohrit nga Kosova dhe Serbia, derisa ka shtuar se pozicioni i vendit të tij “është se ne e mbështesim një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet dyja vendeve, të cilat në qendër do të kenë njohjen e ndërsjellë dhe pastaj rrugëtimin euroatlantik të të gjithë rajonit”.

“Inkurajojmë palët që të shfrytëzojnë këto momente të rëndësishme gjeopolitike dhe të avancojnë procesin e bisedimeve dhe arritjen e marrëveshjeve sepse kohërat dhe gjeopolitika po ndryshojnë dhe mendoj se këto ndryshime nuk po shkojnë në favor të rajonit”, theksoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore