Lajme

Osmani diskuton për edukimin e hershëm të fëmijëve me drejtoreshën e UNICEF-it në Kosovë


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtoreshën e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin me Drejtoreshën e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, ka diskutuar për edukimin e hershëm të fëmijëve.

“Në këtë kontekst Osmani ka theksuar domosdoshmërinë e krijimit të mundësive për edukimin e hershëm të fëmijëve, sigurimin e infrastrukturës së nevojshme për qasje në institucionet parashkollore, ngritjen e cilësisë në arsim, si dhe sigurimin e barazisë gjinore”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit.

Sipas njoftimit, presidentja Osmani gjatë këtij takimi ka potencuar rëndësinë e ngritjes së kualitetit të shërbimeve mjekësore për fëmijë, mbështetjes për fëmijët me nevoja të veçanta si dhe grupet e margjinalizuara.

Po ashtu, ajo e përgëzoi drejtoreshën Zicherman për detyrën dhe i uroi sukses në angazhimin e saj, duke shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me UNICEF-in.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtoreshën e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman

Në anën tjetër, Zicherman ka falënderuar Presidenten Osmani për gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, për avancimin e agjendës për të drejtat e fëmijëve, zhvillimin  e fëmijërisë se hershme, gjithëpërfshirjen dhe përmirësimin e kualitetit të arsimit në Kosovë.

Ndërkaq, gjatë të hënës së 11 tetorit, në Ditën Botërore të Vajzave, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar klubin futbollistik të vajzave, “Prishtina”.

E para e vendit, në takimin me vajzat e klubit të Prishtinës tha se ato duhet të luftojnë jo vetëm në sport, por edhe në shoqëri.

“Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, takuam klubin futbollistik të vajzave ‘Prishtina’. Vajzat, nëpër klubet e futbollit në shoqërinë tonë, duhet të luftojnë jo vetëm kundër ekipeve të tjera në fushën e futbollit, por edhe kundër stereotipeve në shoqëri”, shkruan Vjosa Osmani në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore