Lajme

Osmani dhe Kurti kërkojnë nga ndërkombëtarët t’i bëjnë presion Serbisë për marrëveshjen e të pagjeturve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

Krerët institucional në Ditën Ndërkombëtare të Pagjeturave, kanë bërë homazhe të martën në Prishtinë, para obeliskut për personat e pagjetur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani deklaruan se janë duke u angazhuar akoma më shumë në këtë drejtim por që presin presion nga ndërkombëtarët tek Serbia.

Presidentja, Vjosa Osmani pohoi se angazhimi i tyre do të rritet në mënyrë të dyfishtë.

“Sot përkujtojmë njërin ndër krimet më të llahtarshme të regjimit gjenocidial të Serbisë që në fakt është një krim i dyfishtë. Ne do ta rrisim angazhimin në mënyrë që Serbia të përgjigjet për krimet e kryera por edhe të tregoj vendndodhjen e më të dashurve tanë, qytetarëve tanë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

Ndërkaq nga procesi i dialogut Kosovë-Serbi pret që të jepen të gjitha informacionet për zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur.

“Institucionet e Kosovës janë duke bërë të pamundurën që në mënyrë përmes procesit të dialogut përfundimisht Serbia të na jep të gjitha të dhënat që na qojnë tek zbardhja e rasteve të personave të zhdukur në Kosovë dhe besoj që jemi në rrugën e duhur”.

“Shpresoj që ndërkombëtarët do t’i bëjnë presion Serbisë të nënshkruaj marrëveshjen për të pagjeturit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përveç që kërkoi më shumë presion tek Serbia për këtë çështje kërkoi edhe nga institucionet e drejtësisë në Kosovë angazhim shtesë në këtë proces.

“Si institucione kemi përgjegjësi që të bëjmë gjithçka që mundimi dhe dimë që sa më shpejt të zbardhet fati i të pagjeturave dhe njëkohësisht që më faktorët ndërkombëtarë të bëhet trysni që në Beograd të hapen arkivat dhe në atë mënyrë të zbardhet e vërteta për më të dashurit tonë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

“Edhe prokuroria tek ne duhet të jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas sepse deri tek e vërteta arrihet edhe përmes drejtësisë”.

Pas 20 viteve të konfliktit mes Kosovë dhe Serbisë, familjarët e mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur vazhdojnë të jenë në kërkim të familjarëve.

Këto familje vazhdojnë të mos dinë asgjë për fatin e të dashurve të tyre.

Në anën tjetër, Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, kishte deklaruar në një intervistë se palët janë “vetëm edhe dy fjalë larg” arritjes së Marrëveshjes për të Pagjeturit e luftës së fundit.

Ai thotë se megjithatë e ka përcjellur intervistën e Lajçak-ut, në Radio Televizionin e Kosovës, dhe “asnjë fjalë nuk ishte më ndryshe sesa në takimet që i kanë zhvilluar deri tani”.

“Para një muaji, Lajçaku ka qenë tek unë në zyre në Prishtinë ku kemi biseduar për çështjen e të pagjeturve dhe mund të them  që fjalët e tij të cilat i kam dëgjuar mbrëmë janë edhe të ateherëshit”.

Me 14 qershor, nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, në fshatin Leshan të Suharekës janë gjetur edhe disa mbetje mortore të cilat i takojnë periudhës së luftës së fundit në Kosovë 1998-99.

Antropologi, Ditor Haliti, i cili mori pjesë në këto gërmime në një bisedë për Albanian Post kishte sqaruar rrethanat në të cilat i kanë gjetur eshtrat.

Ilustrim: Gërmimet në Kizhevak

“Sot kemi dal me urdhëresë të gjykatës në fshatin Leshan të Suharekës, për gërmime vlerësuese pasi që para një muaji janë gjetur disa pjesë kockore të një individi së bashku me veshmbathje”.

“Gjatë hulumtimit dhe gërmimeve kemi gjetur edhe disa pjesë kockore të tjera të cilat i takojnë periudhës së luftës së fundit”.

Haliti, bëri të ditur se këto mbetje janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Këto mbetje skeletore janë dërguar në IML ku do të analizohen në mënyrë më të hollësishme”.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 mijë e 500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore