Lajme

Gërmimet në Leshan të Suharekës: Gjenden edhe disa mbetje mortore


Ilustrim: Gërmimet në Kizhevak

Të martën e 14 qershorit nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, në fshatin Leshan të Suharekës janë gjetur edhe disa mbetje mortore të cilat i takojnë periudhës së luftës së fundit në Kosovë 1998-99.

Antropologi, Ditor Haliti, i cili mori pjesë në këto gërmime në një bisedë për Albanian Post sqaron rrethanat në të cilat i kanë gjetur eshtrat.

“Sot kemi dal me urdhëresë të gjykatës në fshatin Leshan të Suharekës, për gërmime vlerësuese pasi që para një muaji janë gjetur disa pjesë kockore të një individi së bashku me veshmbathje”.

“Gjatë hulumtimit dhe gërmimeve kemi gjetur edhe disa pjesë kockore të tjera të cilat i takojnë periudhës së luftës së fundit”.

Haliti, bën të ditur se këto mbetje janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Këto mbetje skeletore janë dërguar në IML ku do të analizohen në mënyrë më të hollësishme”.

Ai shton se, “të mërkurën do të vazhdohet me punë në të njëjtin lokacion”.

Foto: Ilustrim

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 mijë e 500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore