Lajme

Veç edhe dy fjalë


“Ne jemi dy fjalë afër, apo dy fjalë larg marrëveshjes dhe ne do të kemi konsultime edhe në ditët në vijim për këtë. 99.5 për qind e tekstit është dakorduar dhe tani duhet vetëm vullnet politik”.

Kështu ka thënë Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë një interviste në RTK, teksa ka folur për marrëveshjet e radhës mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka theksuar se “nuk është problem as tragjedi“, kur është pyetur për dështimin e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që pritej të ndodhte para pushimeve verore.

Lajçak, konsideron që “më e rëndësishmja është se të dy liderët, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç kanë rënë dakord që të takohen rregullisht“.

“Ata janë dakorduar që dialogun ta dërgojnë në atë nivel dhe në të njëjtën kohë në duhet të sigurohemi që ky takim i tretë, i treti takim zyrtar në Bruksel të jetë pozitiv dhe të jap rezultate konkrete”, tha ai.

“Pas vlerësimit të situatës vendosem që është më mirë të presim pak dhe të sigurohemi që takimi të jetë i mirë”.

Por, diplomati sllovak, shtoi se takimi mes Kurtit dhe Vuçiç-it nuk duhet të vonohet.

“Por definitivisht nuk do të humbas kohën time e të punoj për takimin e radhës pa vonesë. Qoftë fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit. Nuk shoh asnjë arsye për të pritur përtej kësaj”.

“Ata vinin këtu në Bruksel në baza mujore dhe sigurisht ky angazhim rezultoi në një marrëveshje shumë të rëndësishme për energjinë në udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve energjetike nga viti 2013 dhe 2015.

Ndërsa Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se Lajçak-ut i është vazhduar mandati për 24 muaj.

Sipas këtij informacioni do të thotë se Lajçak në këtë detyrë do të qëndrojë deri më 31 gusht 2024

Vendet e Bashkimit Evropian kishin pranuar që të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, t’i zgjatet mandati edhe për 18 muaj.

Ndryshe, për herë të parë, politikani sllovak mandatin e emisarit të BE-së për dialogun e kishte marrë më 2 prill 2020.

Pastaj i ishte vazhduar mandati edhe pas 1 prillit 2021, për 18 muaj.

Në marsin e vitit 2022, bëhen 12 vjet që kur ka nisur dialogu në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Ky dialog fillimisht nisi për çështje teknike, për të evoluar më pas në dialog të nivelit të lartë politik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore