Shqipëria

OSBE reagon për zgjedhjen e kryetarit të AMA-s/ Procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, pjesëmarrës dhe transparent


Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE/ODIHR)  në Tiranë ka reaguar pas kërkesës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, për shtyrjen e zgjedhjes së kryetarit të AMA-s.

Përmes një postimi në Twitter, OSBE thekson nevojën e një procesi gjithëpërfshirës, pjesëmarrës dhe transparent për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të AMA-s.

“Ne kemi qenë në kontakt me aktorët përkatës duke theksuar nevojën për një organ të pavarur rregullator të mediave”.

Gjithashtu shkruan se OSBE kujdeset për t’u siguruar që AMA mund të përmbushë në rastin më të mirë misionin e saj.

Reagimi i delegacionit të BE-së

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjes së kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) në legjislaturën e ardhshme, të mërkurën e 7 korrikut.

“Autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe me një legjitimitet të njohur nga të gjithë. Bashkimi Evropian ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive dhe ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave”.

Sipas tyre, ky legjislacion është pjesë e acquis të BE-së të cilin Shqipëria duhet të përshtasë.

“Ne kemi ndjekur nga afër procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe anëtarëve të bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s”.

Delegacioni thekson se kanë ftuar autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht.

Sot është seanca e fundit e kësaj legjislature të Parlamentit. Në rendin e ditës është dhe zgjedhja e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore