Kosova

OSBE mirëpret periudhën tranzitore për dinarin: Duhet t’i jepet përparësi mirëqenies së komuniteteve para se të merren vendime


Ilustrim

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) mirëpriti gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të siguruar një periudhë tranzitore për dinarin, por përveç thirrjes për respektimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë, njëkohësisht kërkoi që komunikimi publik për këtë çështje të ofrohet në të dyja gjuhët zyrtare në Kosovë, pra shqip dhe serbisht.

“Është thelbësore që të drejtat e komuniteteve joshumicë, duke përfshirë komunitetin serb të Kosovës, të respektohen plotësisht dhe të lihet koha për konsultime të nevojshme me të prekurit. Është gjithashtu e rëndësishme që i gjithë komunikimi publik përkatës të jetë në të dyja gjuhët zyrtare”, thuhet në deklaratën për shtyp të misionit të OSBE-së në Kosovë.

Misioni i OSBE-së theksoi gjithashtu se veprimet e fundit të ndërmarra nga Policia e Kosovës, duke përfshirë mbylljen e zyrave paralele të Serbisë në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, por edhe mbylljen e një Organizate Jo-Qeveritare (OJQ) në Prishtinë që vepronte kundërligjshëm, rrezikon të ketë një “ndikim negativ” tek pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.

“Mbyllja e objekteve që ofrojnë shërbime sociale ose shëndetësore rrezikon të ketë një ndikim negativ tek individët dhe familjet duke kufizuar aksesin në disa shërbime thelbësore. Mbrojtja e mirëqenies së komuniteteve, duke përfshirë veçanërisht grupet e cënueshme, duhet t’i jepet përparësi përpara se të zbatohen politika ose vendime”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e Bashkura të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) akuzuan njëzëri Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” po nxit “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, posaçërisht pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi operacionet me para të gatshme në vend.

Për shkak të situatës së brishtë në pjesën veriore të vendit, posaçërisht pas përshkallëzimit të tensioneve vitin e kaluar që kulmuan pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit, bashkësia e organizuar ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë implementimin e vendimit dhe t’u japë më shumë kohë serbëve lokalë që të adaptohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore