Shqipëria

Operacioni ndërkombëtar “TIBUS” kap të dyshuarin e 6 në Vlorë


Policia Vlorë, njofton të mërkurën, më 10 mars, se në vijim të operacionit ndërkombëtar antidrogë i koduar “TIBUS”, është arrestuar një person tjetër. Duke shkuar në gjashtë numri i personave të arrestuar.

I dyshuari A.V., 30 vjeç, banues në Vlorë, është kapur në flagrancë nga Fast Albania, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), nga Policia e Vlorës dhe Interpol Tirana.

Ky shtetas do të ekstradohet drejt shtetit fqinjë Italisë, pasi është shpallur i kërkuar atje.

Mëngjesin e ditës së martë, më 9 mars, janë arrestuar edhe pesë shtetas të tjerë që ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Përkatësisht ata po kërkoheshin nga Interpol Roma.

Policia italiane në vijim të këtij operacioni ka arrestuar 55 persona të dyshuar.

Gjykata e Romës më herët ka lëshuar urdhër-arrestin për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve”.

Kjo organizatë kriminale importonte lëndë narkotike (marijuanë) nga Shqipëria drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës.

Droga depozitohej në depo në Romë dhe më pas shpërndahej nëpër makina të përdorura për shitjen e saj.

Sipas raportimeve të policisë italiane, me zbulimin e 40 kilogramëve marijuanë në bagazhin e një makine në tetor 2016, filloi hetimi i quajtur “Tetori i Kuq”.

Por nga viti 2018 deri në 2019-ën, kjo organizatë transportonte me gomone lëndë narkotike nga Ballkani në drejtim të vendeve të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore