Zgjedhjet në Shqipëri

Numërimi për kandidatët drejt fundit, ja kush e thyen herësin


Numërimi i votave për kandidatët në zgjedhjet e 25 prillit, është tashmë drejt fundit. Me procesin e përfunduar në tetë nga 12 qarqe dhe me kutitë e fundit në Vlorë dhe Elbasan, Tirana dhe Durrësi do të jenë të vetmet qarqe, ku numërimi përmbyllet të premten.

Falë sistemit të ri elektoral, kandidatët kanë pasur mundësi të marrin votëbesim direkt nga qytetarët.

Gjithsesi, për shkak të formulës së vështirë, të paktë kanë qenë kandidatët, të cilët kanë arritur ta thyejnë herësin dhe të tejkalojnë vijën e kuqe të mandateve nga dy partitë kryesore në vend.

Socialistët

Nga radhët e socialistëve, janë 14, deputetët të cilët kanë kaluar shifrën e 10 mijë votave. Gjithsesi, shumicës prej tyre, nuk i nevojitet thyerja e herësit për të fituar mandatin.

Por, ndër ta, ka edhe nga që futen në Parlament pikërisht prej sigurimit të numrit të lartë të votave.

Gramoz Ruçi në Fier, ka arritur të sigurojë 10 mijë e 292 vota. Kështu, ai arrin të thyejë herësin prej 10 mijë votash në Fier dhe siguron mandatin e nëntë në Fier. Ruçi zinte vendin e dhjetë në listën e socialistëve – gjë që e linte jashtë Parlamenti, për shkak se PS-ja arriti të sigurojë vetëm nëntë mandate.

Në Tiranë ndërkaq, janë dy, socialistët që thyejnë herësin. Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi, kanë kaluar 10 mijë votat. Ky rezultat, do të lërë jashtë sallës së Parlamentit Pandeli Majkon, me projeksionin e deri tanishëm.

Ndër emrat e tjerë që e kalojnë pragun, është kryetari i socialistëve, Edi Rama, në të dy qarqet Durrës dhe Vlorë ku garon. Taulant Balla ka marrë një numër rekord prej 21 mijë e 604 votash në Elbasan. Kjo e bën atë deputetin më të votuar.

Erion Braçe, Belinda Balluku, Etjen Xhafaj, Arben Ahmetaj, Niko Peleshi, Bledi Çuçi dhe Saimir Hasalla, janë emrat e tjerë.

Demokratët

Nga kampi demokrat, janë vetëm tre, kandidatët të cilët e kalojnë pragun e caktuar për të marrë mandate. Dy prej tyre, jo përcaktues.

I vetmi që tejkalon pozicionimin e tij në listë, është Luçiano Boçi në Elbasan. Ai ka arritur të garantojë 10 mijë e 930 vota, duke tejkaluar pragun. Boçi projektohet të marrë mandatin e Eugen Isajit në qarkun e Shqipërisë së Mesme.

Dy të tjerët që tejkalojnë pragun, janë kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe Agron Shehaj në Tiranë. Gjithsesi, për shkak të pozicionimit të lartë, rezultati i tyre personal nuk ndryshon mandat.

Kryedemokrati ka arritur të sigurojë mbi dyfishin e votave të ish-kreut të PD-së, Sali Berisha. Ky i fundit, ka marrë 6 mijë e 232 vota personale.

Shumë pranë garantimit të mandatit, ka qenë kandidati Agron Kapllanaj në Elbasan. Ai ka marrë 9 mijë e 247 vota personale. Me 750 vota të tjera, ai do të ishte pjesë e Parlamentit.

Nga radhët e partive të tjera ndërkaq, asnjë prej kandidatëve nuk ka arritur të sigurojë votat e nevojshme për të thyer herësin e listës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore