Lajme

“Një valë e re e COVID-19 mund të paraqitet në Kosovë”


Ilustrim

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, në një prononcim për Albanian Post ka thënë se e vetmja mënyrë që të shmanget mbyllja e vendit është që të vaksinohen qytetarët kundër Coronavirusit.

Ai ka potencuar se është e mundshme që një valë e re e COVID-19 të paraqitet edhe në Kosovë.

“Është e mundshme të paraqitet edhe një valë e re e infeksioneve sikurse kjo që është e pranishme në këtë periudhe, mirëpo në qoftë se bëhet vaksinimi sa më masiv. Vala e cila do të vije do të jetë me gjasë me një intensiteti më të ulët në kuptimin e pacientëve të shtrirë dhe humbjen e jetëve të pacientëve”, deklaroi Vishaj.

Ndërkaq, ditëve të fundit ka pasur rritje të rasteve nga Coronavirus në Kosovë, sipas tij arsyeja pse kjo po ndodh është ardhja e mërgatës në Kosovë.

“Këto ditët e fundit në Evropë është paraqitur forma e COVID-19 ‘Delta’, e cila është me një numër shumë më të madh në Britani, prandaj rritja e numrit të pacientëve në botën perëndimore mund të sjell edhe rritje tek ne, veçanërisht tash me ardhjen e mërgatës”.

Po ashtu, Vishaj theksoi se klinika që ai udhëheq është në gjendje gatishmërie për të trajtuar rastet me cilindo variant të Coronavirusit.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj

“Varianti Delta nuk ka ndonjë protokoll të veçantë të trajtimit, por trajtimi është sikurse variantet e tjera që kanë qenë më përpara, edhe ky variant duhet të trajtohet me protokoll të njëjtë”, tha Vishaj.

Më 29 qershor, Kosova regjistroi dy raste me variantin Delta të Coronavirusit, variant ky që po përhapet me shpejtësi në mbarë botën. Rezultatet e testeve për këtë variant ishin bërë në Berlin.

Për dallim nga Kosova, shtetet fqinje, siç janë Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina vazhdimisht përcjellin përhapjen e variantit Delta.

Varianti Delta, që fillimisht është identifikuar në tetorin e vitit të kaluar në Indi, ka shkallë më të lartë të infektimit për 50-60 për qind më e lartë se variantet tjera, duke prekur edhe moshat më të reja.

Numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka shkuar në 93 mijë e 551, ndërsa shifra totale e vaksinave të dhëna është 343 mijë e 330.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se situata me pandeminë COVID-19 është nën kontroll, por rrezikohemi nga varianti Delta.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

“Mos lejoni mbylljen e të gjithëve për pakujdesin e disa”, thuhet në thirrjen e IKSHPK-së.

Ndryshe, të enjten , zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, ka thënë për Albanian Post se në Kosovë ka arritur një kontingjent me vaksina anti-COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore