Shqipëria

Nikolla pret Van der Linden, kërkon mbështetjen për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KiE


Kryetarja e Kuvendit, Linidta Nikolla, ka pritur Presidentin e Nderit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, René van der Linden.

Nikolla e vuri në dijeni atë për përpjekjet dhe lobimin e deritanishëm të Shqipërisë në mbështetje të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Për këtë ajo kërkoi edhe mbështetjen e Van Der Linden në këtë proces.

Po ashtu Nikolla e vuri në dijeni Van Der Linden mbi Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, përcjellë zyrtarisht Këshillit të Evropës, duke i kërkuar të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), dhe të shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e fakteve e provave, në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

Nga ana tjetër, Nikolla ka vlerësuar kontributin e Van Der Linden në drejtimin e Asamblesë Paramentare të KiE gjatë viteve 2005-2008 dhe qëndrimeve të drejta në kohë të vështira për kontinentin, demokracinë, të drejtat e njeriut, paqen dhe sigurinë.

Ajo ka theksuar bashkëpunimin shumë të mirë të Kuvendit me Asamblenë Paramentare të KiE, për konsolidimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Sakaq, René van der Linden falënderoi kryetaren Nikolla për takimin dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare të kësaj organizate, e cila mund të konsiderohet si një “shkollë demokracie” për mbrojtjen e vlerave demokratike, të të drejtave të njeriut dhe të paqes.

Gjithashtu Van Der Linden vlerësoi arritjet e Shqipërisë në thellimin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit.

Dhe nënvizoi se këto rezultate kanë mundësuar çeljen e negociatave dhe avancimin drejt BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore