Lajme

Ngritët aktakuzë ndaj tre personave për kultivim të substancave narkotike


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për kultivim të bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria përmes një komunikate për media.

“Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve I.S., R.K dhe N.F”.

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit I.S., R.K., në bashkëkryerje edhe me të pandehurit D.S., V.R dhe M.D., të cilët gjenden në arrati, pa autorizim kanë filluar të kultivojnë substancën narkotike të llojit kanabis në laboratorët e improvizuara”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Të njëjtit janë të dyshuar për tri vepra penale të ndryshme. ​

“Me këtë të pandehurit I.S., R.K., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’’ nga neni 272 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pikat 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së. Ndërkaq, i pandehuri I.S., akuzohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”.

“I pandehuri N.F., akuzohet se ka kryer veprën penale ‘’Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre’’ nga neni 378 paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 të KPRK-së”, është thënë tutje.

Më 4 prill, Policia e Kosovës ka njoftuar këtë të marte se është arrestuar një qytetar i etnisë serbe në Veri të Kosovës, i cili dyshohet për përpunimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike.

“Sot, më 04.04.2023, rreth orës 15:20, në vazhdën e hetimit, policia ka identifikuar dhe arrestuar edhe një të dyshuar (të dyshuarin e tretë): R.K., (viti i lindjes 1968, mashkull serb kosovar)”, ka njoftuar policia në faqen e tyre zyrtare.

Ndërkaq, në njoftimin e Policisë ishte thënë se ky arrestim ka qenë në kuadër të Operacionit ‘Shpata’ të nisur në shkurt të 2023-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore