Shqipëria

Nga ndihma ekonomike deri te edukimi i fëmijëve, vendimet e Këshillit të Ministrave


“Vendimi i parë ka lidhje me bërjen efektive të rritjes së masës së ndihmës ekonomike nga janari i vitit 2022”.

Kjo ka qenë deklarata e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku prezantoi tre vendimet e marra gjatë kësaj dite.

Ministrja bëri me dije se, “buxheti për mburojën sociale dhe programet tona sociale është rritur me 15 milionë dollarë dhe do të dyfishohet nga janari masa e ndihmës ekonomike për rreth 15 mijë familje që marrin ndihmë ekonomike – me mbi 3 fëmijë. Do të trefishohet për fëmijët me status jetimi, për gratë e trafikuara dhe dhunuar“.

Sipas saj ky vendim qeverie bën të mundur rritjen e masës së ndihmës ekonomike sipas kategorive të lartpërmendura dhe kjo politikë sociale do bëhet efektive me buxhetin e vitit 2022.

Një tjetër vendim i marrë sot kishte të bënte me mbështetjen financiare “të një prej strukturave spitalore më të rëndësishme në vend”, Spitali Memorial i Fierit.

Ky spital, vuri në dukje Ministrja, ka nisur punën prej gjashtë muajve tashmë, “falë mbështetjes së qeverisë turke”.

“Mbështetja financiare do i jepet këtij spitali për të rritur gamën e shërbimeve që ofron. Këto të fundit po rriten dita ditës, me mbi 29 mijë shërbime deri më tani”, theksoi Manastirliu në fjalën e saj.

Manastirliu i treti vendim që prezantoi kishte të bënte me një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet mbështetjes financiare të qeverisë zvicerane, që bën të mundur edukimin shëndetësor të fëmijëve nga 6-16 vjeç.

“Edukim shëndetësor për sëmundjet jo të transmetueshme dhe do të ketë një shtrirje kohore pesë vjeçare”.

Ora policore dhe vaksinat

Përpos këtyre vendimeve Manastirliu u pyet rreth heqjes së orës policore natën e ndërrimeve të viteve.

Ajo e tha e prerë se ky vendim nga Komiteti Teknik i Ekspertëve është marrë në bazë të situatës epideomologjike në vend gjatë javëve të fundit – rastet pozitive, rastet e shtrimit dhe situatës në tërësi të COVID-19 në Shqipëri.

Por Ministrja bëri thirrje që vigjilenca nuk duhet të ulët dhe varianti i ri Omicron mbetet shqetësues pasi po sheh një rritje progresive ditëve të fundit.

“Do të lejohen lëvizjet këmbësore, dhe të qarkullimit të njerëzve sepse dihet është festë dhe njerëzit mblidhen. Duhet sa më pak kontakte, të vaksinuar dhe me masa mbrojtëse”, ritheksoi Manastirliu.

Nga ana tjetër ajo tha se duhet të respektohen të gjitha protokollet shëndetësore që përcaktojnë masën dhe kapacitetet që duhet të kenë baret restorante për të vijuar aktivitet e tyre.

“Vetëm dje janë kryer 320 inspektime për masat anti-COVID dhe kjo do të vazhdojë me intensitet të lartë për kontrollimin e situatës”.

Ndërsa ajo njoftoi se për sa i përket vaksinave deri më tani janë aplikuar më shumë se 2.3 milionë dhe mbi 2.6 milionë kanë mbërritur në vend.

“Jemi në marrëveshje me kompaninë Pfizer për mbërritjen e 1.5milionë dozave të tjera dhe më 31 dhjetor do të mbërrijnë 375 mijë vaksina Pfizer “.

Sa i përket instrumentit të COVAX-it, Manastirliu tha se, “jemi të përfshirë si një vend me vetëfinancim dhe ne i zgjedhim vetë vaksinat”.

Ajo e përmbylli duke bërë me dije se nga ky sistem priten të mbërrijnë në vendin tonë 500 mijë doza vaksine.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore