Shqipëria

Buxheti 2022 mbulon gjithçka për shëndetësinë, rriten kuotat studentore


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, prezanton Buxhetin 2022 për shëndetësinë

Zëri i shëndetësisë është një ndër më të rëndësishmit për sa i përket buxhetit të shtetit në një kohë pandemie COVID-19 dhe për ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ai i vitit 2022, mbulon më së miri të gjithë sektorët.

Jo gjithçka po ecën fjollë sipas ministres dhe shumë rrugë për t’u bërë është përpara, por investimet janë në përputhje të plotë me kapitullin e parë të vizionit 2030.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, prezanton Buxhetin 2022 për shëndetësinë

Në disa plane po punohet mbi strukturën. Ai i digjitalizimit, është kryesori, i mbështetur nga autonomia spitalore.

“Vendimi që morëm gjashtë vjet më parë për të rihapur specializimet, i dha fund absurdit më të madh në tre dekada. Prej atij vendimi, çdo vit janë hapur kuota të reja dhe 1 mijë e 200 mjekë janë punësuar në katër vite. 3 mijë e 870 infermierë, po ashtu”, tha ministrja.

Kuota dhe zëra

Një tjetër aspekt i përmendur nga Manastirliu, është edhe ai i kuotave universitare. Për shkak të kërkesave të tregut, 150 kuota të reja, pritet të hapen që prej vitit akademik 2022-2023. Në tërësi, vjetore, do të jenë 450 kuota në Universitetin e Shëndetësisë.

Ndër zërat më të mëdhenj të buxhetit, është edhe ai i terapive. Janë 110 milionë dollarë, të cilët vihen në shërbim të pacientëve, në sektorin e terapive.

Skedë nga prezantimi i Buxhetit 2022 për shëndetësinë

Në tërësi, buxheti është 7 miliardë lekë më i lartë se ai i vitit të shkuar. Kuota totale e tij shkon në 63.51 miliardë lekë.

Rikonstruksioni apo rindërtimi i godinave spitalore do të jetë në vëmendje po ashtu. Ndër to, spitali Infektiv do të shohë ndryshim rrënjësor, me pajisje moderne. Ai, sipas ministres, do të kthehet në qendër reference për shërbimin e sëmundjeve infektive.

Rindërtim do të shohin edhe QSUT-ja, spitali Pedriatik i Elbasanit apo materniteti i Kukësit, si edhe të tjerë.

Pagat e mjekëve, pritet të rriten me 6%. Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama, theksoi se ato, që prej ardhjes së pushtet të socialistëve, janë rritur me 63%.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, prezanton Buxhetin 2022 për shëndetësinë

Mbi shërbimet e digjitalizuara, Rama u ndal tek shembulli që ka ndjekur Shqipëria ndër vite.

Sipas tij, ky sistem është shumë i avancuar dhe ka ndihmuar drejtpërdrejt në luftën ndaj COVID-19.

“Imagjinoni sikur të mos e kishim sistemin. Sikur njerëzve, t’ju duhej të ikej në sportele për të marrë leje për të lëvizur. Si do ta kishim prerë zinxhirin e infektimeve pa sistemin digjital?”, shtroi Rama pyetjen.

Ndërsa mbi të, ai tha se është në nivel evropian, edhe pse në 2013-ën, Shqipëria ka qenë vendi i fundit në rajon për digjitalizim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore