Euro 2020

Nga Baku, në Kopenhagen dhe Shën Petersburg, ja sfidat e ditës së dytë të Euro 2020


Kampionati Evropian i Futbollit, Euro 2020, ka nisur tashmë dhe për një muaj do të jetë i pranishëm pothuajse çdo ditë me sfida interesante. Ndeshja hapëse e kampionatit, midis Turqisë dhe Italisë, përfundoi me rezultatin 0-3.

Dita e dytë e Euro 2020, do të sjellë tre sfida për sportdashësit, te cilat mund t’i ndjekin me komentim direkt në Albanian Post.

Një ndeshje do të luhet në Grupin A, Uells – Zvicër dhe dy ndeshje në Grupin B, Danimark – Finland dhe Belgjikë – Rusi.

Ndeshja që do të hap ditën e shtunë në Evropian do të jetë ajo midis Uellsit dhe Zvicrës. Takimi do të luhet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, në “Olympic Stadium”, duke filluar nga ora 15:00 (17:00 me orën lokale).

Stadiumi do të jetë i hapur në 50% të kapaciteti të tij për tifozët, çka do të thotë se të pranishëm për të parë sfidën midis Uellsit dhe Zvicrës do të jenë 34 mijë e 350 spektatorë.

Gjyqtari kryesor i takimit do të jetë francezi, Clement Turpin. Turpin-i ka që nga 2010 që mban stemën e FIFA. Ai ka arbitruar në kompeticione madhore të FIFA dhe UEFA, ku së fundmi iu besua finalja e UEFA Europa Ligës 2020/21, midis Villarreal-it dhe Manchester United-it.

Në Europianin e fundit, në 2016, Zvicëra shkoi deri në fazën e të 16-ve, ku u eleminua nga Polonia (4-5 pen.). Në krahun tjetër, Uellsi në Euro 2016 arriti të shkonte deri në gjysmëfinale, ku do të eleminohej nga kampionët në fuqi, Portugalia (0-2).

Ndeshja e dytë e ditës së shtunë në Euro 2020 do të jetë ajo midis Danimarkës dhe Finlandës. Sfida do të luhet në “Parken Stadium”, që ndodhet në kryeqytetin danez, Kopenhagen. Ndeshja do të fillojë nga ora 18:00.

Të pranishëm në këtë sfidë pritet të jenë rreth 15 mijë e 900 spektatorë, pasi është vendosur që stadiumi të hapet në 40% të kapacitetit të tij.

Gjyqtari kryesor i takimit do të jetë anglezi, Anthony Taylor. 43-vjeçari, që nga viti 2013 mban stemën e FIFA. Ai ishte arbitri kryesor në ndeshjen e Superkupës së Europës midis Bayern Munich-ut dhe Sevilla-s, në vitin 2020.

Danimarka e ka fituar një herë trofeun e Kampionatit Evropian në vitin 1992, kur shkonte për herë të parë në finale. Asokohe përballë kishte Gjermaninë, të cilën e mposhtëte me rezultatin 2-0, falë golave të John Jensen-it dhe Kim Vilfort-it.

Në Europianin e 2016, as Danimarka dhe as Finalanda nuk morën pjesë, pasi nuk arritën të kualifikoheshin.

Danimarka ishte pjesë e Grupit I, së bashku me Shqipërinë, ku kuqezinjtë dolën të dytët pas Portugalisë, ndërsa danezët të tretët, duke kapur play-off, por që më pas u eleminuan nga Suedia. Finlanda ishte pjesë e Grupit F, ku i mbylli kualifikueset në vendin e katërt.

Sfida e fundit e ditës së shtunë në Euro 2020 do të jetë ajo mes Belgjikës dhe Rusisë. Ndeshja do të luhet në Shën Petersburg të Rusisë, në stadiumin e Zenitit “Krestovsky Stadium”, duke filluar nga ora 21:00 (22:00 me orën lokale).

Të pranishëm në këtë sfidë pritet të jenë 34 mijë e 067 spektatorë, çka përben 50% të kapacitetit të stadiumit.

Antonio Mateu Lahoz do të jetë gjyqtari kryesor i kësaj sfide. Spanjolli është ndër “bilbilat” më të njohur në Evropë. Ai ka marrë stemën e FIFA në vitin 2011 dhe që nga ajo kohë ka arbitruar disa ndeshje të rëndësishme në kompeticionet e FIFA dhe UEFA.

Lahoz-i ishte arbitri kryesor në finalen e Ligës së Kampionëve 2020/21, midis Chelsea-t dhe Manchester City-t.

Në Euro 2016, Belgjika dhe Rusia merrnin pjesë të dyja. Belgët arritën deri në fazën e çerekfinaleve, ku u eleminuan nga Uellsi (1-3), ndërsa Rusia nuk arriti më shumë se faza e grupeve.

Belgjika ka shkuar vetëm një herë në finalen e Evropianit, në vitin 1980, në “Stadio Olimpico”, ku humbi përballë Gjermanisë Perëndimore, me rezultatin 1-2. Për belgët shënoi Rene Vandereycken-i, ndërsa për gjermanët dy golat erdhën nga Horst Hrubesch-i.

Rusia e ka fituar një herë Evopianin, ndërsa ka humbur tre herë të tjera në finale. Por, të katërta herët që Rusia ka shkuar në finale, ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Trofeun e fituar, e kanë marrë në vitin 1960, duke mposhtur Jugosllavinë në finale, me rezultatin 2-1. Golat për rusët u shënuan nga Slava Kalistratovich Metreveli dhe Viktor Vladimirovich Ponedelnik-u. Për jugosllavët shënoi Milan Galiç-i.

Tre finalet e tjera, i ka humbur përballë: Spanjës me rezultatin 2-1 në 1964, Gjermanisë Perëndimore me rezultatin 3-0 në 1972 dhe Holandës me rezultatin 2-0 në 1988.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore