Kosova

Nënshkruhet plani punës me Luginën e Preshevës për vitin 2021


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka nënshkruar programin e punës për vitin 2021 të Qeverisë së Kosovës për Luginën e Preshevës.

Programi i cili përmban disa pika është hartuar nga zyra për Luginën e Preshevës. Organizimi dhe mbështetja financiare për shqiptarët që jetojnë në shtetin serb është një ndër çështjet e parashtruara.

Hoti u shpreh që gjatë muajit shkurt do të vijohet me përgatitjen e studimit lidhur me gjendjen sociale dhe ekonomike në Luginën e Preshevës.

Studimi do të nxjerrë në pah gjendjen në të cilën jetojnë shqiptarët në Luginë krahasuar me komuna tjera në Serbi bazuar në këtë dokument do të fillojmë një aktivitet të fuqishëm sensibilizues dhe lobues tek partnerët tanë ndërkombëtarë në veçanti në Washington dhe disa vende të BE-së”.

Në fund të vitit, është parashikuar mbajtja e një konference të madhe e donatorëve pasi të jetë faktuar gjendja socio-ekonomike e shqiptarëve të Luginës me qëllim mbështetjen e projekteve arsimore, shëndetësore, të sektorit privat.

Ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, tha se shqiptarët e Luginës janë “duke u përballur me një situatë të vështirë socio-ekonomike dhe një diskriminim strukturor të imponuar nga institucionet e Serbisë”.

Përfaqësuesit e partive politike nga Lugina e Preshevës thonë se presin që zyra për Luginën e Preshevës në kuadër të Qeverisë së Kosovës të jenë funksionale sa më shpejtë të jetë e mundur./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore