Zgjedhjet në Kosovë

Në Kosovë mbi 1 mijë e 300 pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora


Ilustrim/Fletëvotimi.

Procesi i votimit përmes postës është duke vazhduar për 21 komunat në të cilat mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave të Kosovës.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur për Albanian Post se deri më tani kanë pranuar mbi 1 mijë e 300 pako të supozuara me fletëvotime.

“Deri në mesditën e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 1,376 pako të supozuara me fletëvotime”, tha Elezi për Albanian Post.

Ndërsa, bëri të ditur se fletëvotimet përmes postës duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 12 nëntor të 2021.

“Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm votuesit e komunave në të cilat mbahet raundi i dytë i Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”.

Elezi sqaroi po ashtu edhe numrin e votuesve jashtë Kosovës për secilën komunë ku mbahet raundi i dytë.

Në komunën e Gjakovës janë 1 mijë e 29 votues, në Gllogoc janë 175, në komunën e Gjilanit janë 607, në Dragash janë 1 mijë e 90 votues, Istog 707, ndërsa Kaçanik 166 votues.

Votat nga diaspora.

Në komunën e Klinës janë 437 votues, në Fushë Kosovë janë 135, në Kamenicë janë 442 votues, në komunën e Obiliqit janë 60 votues.

Në Rahovec numri i votuesve është 382, në Podujeve është 337, në Prishtinë është 666, në komunën e Prizrenit është 921, në Shtime është 116, në Viti është 754.

Ndërkaq në komunën e Vushtrrisë është 174, në Malishevë 714, në Junik është 1 mijë e 54, në Mamush është 192, ndërsa në Kllokot numri i votuesve jashtë Kosovës është dhjetë.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë do të mbahet më 14 nëntor, ndërsa periudha e votimit përmes postës do të fillojë nga e premtja e 29 tetorit dhe do të zgjat deri më 12 nëntor.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale numri i qytetarëve që kishin arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës ishte 15 mijë e 532 votues, kurse KQZ kishte pranuar 9 mijë e 610 zarfe me vota e që krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kishte rënie të dukshme.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), 21 komuna shkuan në balotazh.

Komunat të cilat kanë shënuar fitore duke mos shkuar fare në balotazh janë Deçani, Mitrovica Jugore, Leposaviçi, Lipjani, Novebërda, Peja, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Zubin Potoku, Zveçani, Hani i Elezit, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica Veriore dhe Skenderaj. Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore