Lajme

Kosovë: Fillon procesi i votimit nga diaspora për raundin e dytë të zgjedhjeve


Ilustrim.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë do të mbahet më 14 nëntor, ndërsa periudha e votimit përmes postës do të fillojë nga e premtja e 29 tetorit dhe do të zgjat deri më 12 nëntor.

“Për votuesit e regjistruar suksesshëm nga jashtë Kosovës, gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht, KQZ-ja ka vendosur 15 ditë në dispozicion të tyre për të votuar përmes postës. Ky votim fillon më 29 tetor”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Tutje bëhet e ditur se deri para kësaj date, KQZ-ja planifikon të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve.

“Deri para kësaj date, KQZ-ja planifikon të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve, për ta bërë të mundur fillimin e votimit jashtë vendit. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu më 12 nëntor”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Votat nga diaspora.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale numri i qytetarëve që kishin arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës ishte 15 mijë e 532 votues, kurse KQZ kishte pranuar 9 mijë e 610 zarfe me vota e që krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kishte rënie të dukshme.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), 21 komuna shkuan në balotazh.

Duke u mbështetur në këto rezultate, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë zhvillohet në këto 21 komuna: Gjakovë, Gllogoc (Drenas), Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Komunat të cilat kanë shënuar fitore duke mos shkuar fare në balotazh janë Deçani, Mitrovica Jugore, Leposaviçi, Lipjani, Novebërda, Peja, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Zubin Potoku, Zveçani, Hani i Elezit, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica Veriore dhe Skenderaj. Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore