Lajme

Në betejën Peci vs Duhani, fiton prapë duhani


Ilustrim.

Edhe pse ligji për kontrollin e duhanit në Kosovë kishte hyrë në fuqi në vitin 2013, pothuajse në asnjë rast ky ligj nuk kishte gjetur zbatim.

Por, me ri-fillimin e zbatimit të këtij ligji të enjten e 16 marsit, u shqiptuan mbi 100 gjoba.

Zyrtari për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, në një bisedë për Albanian Post thotë se pavarësisht fillimit të zbatimit të këtij ligji problem mbetet numri i vogël i inspektorëve.

“Jo aktualisht, mirëpo ka shumë vite që e kemi paraqitur kërkesën që ta rrisim numrin e inspektorëve. Kurrë nuk është zbatuar, nuk na kanë sjellur inspektorë. Sepse, ne kemi mungesë jo vetëm të inspektorëve sanitarë, kemi mungesë edhe të inspektorëve veterinarë”, thotë ai për AP.

Ndër të tjera, theksoi se aktualisht me këtë çështje janë aktivë 48 inspektorë, por që të njëjtit nuk janë të punësuar vetëm për ligjin e duhanit, pasi kontrollojnë edhe fusha të tjera si siguria ushqimore.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i KADC, Shkumbin Spahiu, konsideron se ky ligj deri tani nuk ka gjetur zbatim për një numër të arsyejve, që shkojnë përtej mungesës së inspektorëve.

“Mendoj se vështirësitë kryesore në zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit (LKD), kanë qenë për shkak të një mungese së vullnetit politik dhe neglizhencës që i është bërë këtij ligji nga ana institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit”.

“Por, edhe mungesa e inspektimeve nga ana e inspektorateve kompetente kishte ndikuar që zbatueshmëria e këtij ligji të mbetej në vullnetin e pronarëve të lokaleve të gastronomisë, duke degraduar në tërësi nivelin e respektimit të LKD”, thotë Spahiu për AP.

Mirëpo, shton se për zbatimin e këtij projektligji nevojitet punë e pandalur.

“Është e domosdoshme një mbikëqyrje sistematike dhe konsistente e zbatueshmërisë së LKD me sanksionim të pakompromis të shkelësve të ligjit, deri sa të arrihet ndryshimi i nevojshëm kulturor në mesin e popullatës për refuzimin e duhanpirjes dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit si shkaktari kryesor i parandalueshëm i sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme”.

Sipas tij, “një qasje e tillë është e domomosdoshme për të përcjellë mesazh të qartë se shkeljet e ligjit nuk tolerohen dhe janë të dënueshme”.

Përveç kësaj pohon se ky ligj është dashur të fillojë zbatimin shumë më herët.

“Sigurisht se është dashur të fillojë më herët. Ligji për kontrollin e Duhanit është miratuar qysh në maj të vitit 2013, pra 10 vite më herët”.

“Megjithatë, çfarëdo nisme sado e vonuar të jetë, e cila ka për qëllim përmirësimin e zbatimit të LKD gjegjësisht mbrojtjen e shëndetit të popullatës ka mbështetjen tonë të plotë dhe të pa rezervë”.

Foto nga arkivi.

Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post është thënë se aktualisht janë dy fusha më problematike.

“Gastronomia, kryesisht kafe baret (derisa hotelet qëndrojnë më mirë në zbatim) dhe reklamimi e sponzorizimi në media, që janë shembujt tipik ku bëhet shkelje më të madhe të ligjit”.

“MSH është duke koordinuar aktivitetet me institucionet më lart që mbikëqyrin zbatimin e ligjit për aktivitete që do ta fuqizojnë ligjin dhe ato tashmë kanë filluar, nga nisja e inspektimeve specifike për Ligjin për Kontrollin e Duhanit, krijimin e Këshillit Ndërministror për kontroll efektiv të zbatimit të masave, fushata në përgatitje”.

Nga MSH-ja, mohojnë se zbatimi jo adekuat nuk është bërë për arsyeje të inspektimeve të pamjaftueshme.

“Ngecjeve në shqiptimin e gjobave, bashkëpunimi i sektorit të gastronomisë me industrinë e duhanit për të mos e zbatuar ligjin përmes insentivizimit nga kompanitë e duhanit për t’iu kundërvënë ligjit dhe formave të tjera”.

“Përfshirë edhe ndërgjegjësimin e ulët të një pjesë të popullatës për pasojat e duhanpirjes dhe një lloj mungese e kulturës së përgjithshme për t’i respektuar ligjet, në mënyrë specifike këtë ligj”, është thënë nga MSH-ja.

Institucione përgjegjëse për monitorimin e zbatimit te ligjit janë: Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektorati Shëndetësor, inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, inspektorati i Transportit, inspektorati i Punës, policia e Kosovës, dhe agjensioni antikorrupsion.

Ligji për kontrollin e duhanit, përfshin më shumë aspekte se sa vetëm konsumimin e duhanit në hapësira të mbyllura publike ku është i ndaluar 100 për qind.

Ligji mbulon edhe ndalimin e reklamimit, sponzorimit, konsumin në hapësira të mbyllura, në vende të punës, në mjedise rekreative ku qëndrojnë të rinjtë dhe në vend të punës.

Ndërsa, bazuar në statistikat e Doganës së Kosovës, vetëm për një vit hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore