Lajme

Në 5 vjetorin e vdekjes, kërkohet zbardhja e rastit të Astrit Deharit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Strukturat udhëheqëse të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe te varri i aktivistit të tyre, Astrit Dehari, i cili u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në vitin 2016.

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, i ka bërë thirrje Prokurorisë që ta zbardhin rastin e djalit të tij.

“I bëjë thirrje Prokurorisë që të mos i zvarrisin rastet, siç kanë zvarritur deri më tani, dhe ta zbardhin këtë rast dhe të gjitha rastet që duhen të zbardhen në Kosovë”, ka thënë Dehari.

Ndërsa, kryetari i Vetëvendosjes dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e kujtojnë me krenari Astritin.

“Sot janë mbushur pesë vjet pa Astritin, me shumë dhimbje dhe mall, më shumë dashuri dhe krenari e kujtojmë për punën angazhimin, kontributin dhe sakrificën e tij”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Avni Dehari, nëna dhe vajza e Astrit Deharit

Ai ka thënë se me pesë nëntor, janë bërë pesë vite padrejtësi.

“Ai u mbyt në burg, në Prizrenit me 5 nëntor të vitit 2016. Ne nuk mund te jemi të qetë, përderisa nuk ka drejtësi për Astitin, përgjegjësit nuk janë gjykuar dhe dënuar, dhe nuk është zbardhur në plotëni e vërteta për të”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka treguar se duhet të zbardhen të gjitha rastet duke i përfshirë viktimat e luftës, krimit dhe politikës.

“Ne ja kemi borxh Astritit, edhe qytetarëve drejtësinë për Astritin, duhet dhe do të bëjmë reforma të thella edhe për viktimat e krimeve të kryera gjatë luftës nga Serbia, për viktimat e krimit të organizuar e korrupsionit, edhe për viktimat e krimit politik, çfarë ishte edhe mbytja e Astritit në burg”, tha Kurti.

Kurti ka qenë i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arben Vitia, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, avokati, Tomë Gashi.

Astrit Dehari, më pesë nëntor të vitit 2016 ishte gjetur i vdekur brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Dehari po mbahej në paraburgim nën dyshimin se ka qenë njëri nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e pesë gushtit të vitit 2016, ku me granatahedhës ishte sulmuar Kuvendi i Kosovës.

Ndërsa, në pranga kishin përfunduar edhe aktivistet tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Petrit Ademi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti.

Edhe, Partia Socialdemokrate ka përkujtuar ish-bashkëpartiakun e tyre, Astritin Deharin, në pesë vjetorin e vdekjes së tij në rrethana ende të pasqaruara plotësisht.

PSD-ja e ka akuzuar Vetëvendosjen se e ka instrumentalizuar rastin Dehari, dhe përmes projektligjeve në sistemin e drejtësisë është duke punuar që të ketë gjithçka nën kontroll.

Dardan Mulliqi, Teuta Rrusta, duke bërë homazhe pranë varrin të Astrit Deharit

“Sot përkujtuam Astritin. Do ta kujtojmë përherë si shok dhe si emër për drejtësinë e munguar. VV e sheh drejtësinë tamam ashtu siç e ka trajtuar prej fillimit rastin e Astritit. Një fjalë i përmbledhë këto dy gjëra bashkë: instrumentalizim. Për të instrumentalizuar duhet futur gjërat në kontroll. Tashmë ka nisur Projektligji që ia mundëson Partisë t’i përzgjedhë anëtarët e Këshillit Prokurorial”.

“Drejtësi e vërtetë dhe universale është ajo që tejkalon dialektikën e zëvëndësimit të një regjimi me një tjetër. Drejtësia duket si buzëqeshja e një loje, dhe jo si mjeti në dorë të pushtetit. Drejtësia nuk gjendet brenda dyshës mjet-qëllim. Është vetëreferenciale”, thuhet në postimin e PSD-së në rrjetin social Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore