Lajme

Ndryshe nga Peci, ministri Krasniqi reagon: E quan racizëm sjelljen e dhunshme me një fëmijë nga komunitetet pakicë në Kosovë


Ministri Elbert Krasniqi

Një video e publikuar në rrjetet sociale ku shihet një vajzë e vogël duke u larguar në mënyrë të dhunshme nga një lokal në Kosovë, e ka detyruar të reagojë ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin.

Në video vajza e vogël kërkonte lëmoshë në një tavolinë ku ishte një tjetër ministër, ai i Bujqësisë, Faton Peci.

Derisa kamerieri e kap vrullshëm dhe e largon nga lokali të miturën, Peci nuk reagon fare.

Ndryshe nga ai, Krasniqi ka thënë se gjeste të tilla janë të patolerueshme.

“Ngjarja e fundit ku shihet qartë mënyra e vrazhdë se si largohet një fëmijë nga radhët e komuniteteve nga lokali pa asnjë arsye është shqetësuese dhe e papranueshme për të gjithë”, shkruan Krasniqi që edhe vetë është pjesë e një komuniteti pakicë në Kosovë.

Ai ka shkruar në Facebook se “angazhohem çdo ditë që të luftohet dhe raportohet racizmi”.

“Sjellje si këto nuk kanë vend në mesin tonë”, përfundon statusin ministri.

Kamarieri duke larguar dhunshëm vajzën dhe ministri Peci në sfond

Ndryshe, vec Krasniqit një numër i madh i personave që kanë parë videon kanë shprehur irritimin me formën se si është larguar vajza nga ambientet e brendshme të lokalit.

Veç kamarierit që ka kryer veprimin, shumë veta kanë kritikuar edhe ftohtësinë e ministrit Peci në atë rast dhe mos reagimin e tij, derisa sheh se si po trajtohet një e mitur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore