Lajme

Ndalja e pagave për grevistët, Halimi: Hakmarrje politike e pushtetarëve ndaj qytetarëve


Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, SibeL Halimi, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndaljen e pagave për grevistët.

“Në këtë kohë inflacioni enorm e rritje çmimesh në gjithçka, kur familjet tona ballafaqohen me problemet e mbijetesës, sa lehtësisht e me sa krenari dalin në konferenca për medie për të kumtuar lajmin se nuk do të ketë paga për mësimdhënësit”, ka shkruar Halimi në Facebook.

Sipas saj, “kjo pandjeshmëri e qeverisë ndaj qytetarëve tanë, e shprehur me kaq lehtësi, nuk ka sesi të emërohet ndryshe veçse goditje e ultë e hakmarrje politike e pushtetarëve ndaj qytetarëve të tyre”.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Ligji për grevën e përcakton qartë mënyrën e kompensimit për grevistët.

Kështu ka bërë të ditur ajo në konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

“Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo moskompensimin për ata që janë pjesë në grevë. Kjo ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencioneve buxhetore edhe për muajin e kaluar kur janë kërkuar azhurnimi i listave për punëtorët të cilët kanë qenë në grevë”.

Sipas saj, grevistët nuk duhet të paguhen për ditët në të cilat kanë qenë në grevë.

“Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët të cilët nuk janë në vendin e punës”.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe udhëheqës i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Albanian Post se “po nuk u ekzekutuan pagat për të gjithë mësimdhënësit do ketë tensione”.

Pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Po nuk u ekzekutuan pagat do ketë “plotë tensione”, thotë Jasharaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore