Lajme

Po nuk u ekzekutuan pagat do ketë “plotë tensione”, thotë Jasharaj


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Po nuk u ekzekutuan pagat për të gjithë mësimdhënësit do ketë tensionet dhe atë “plotë”, ka thënë kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe udhëheqës i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj për Albanian Post.

Sipas tij, “nëse qeveria dëshiron të ketë një vit të mbarë që mezi e filluam këtë vit të ri shkollor nuk duhet të vazhdojnë me masa ndëshkuese”.

Jasharaj, tutje për deklaratën e shefes së grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk ka kompetencat për të komentuar pagat e grevistëve.

“Zonja Mimoza Kusari-Lila, nuk duhet të përgjigjet pasi ajo nuk është ministre e Financave të i thotë këto gjëra që pagat nuk do të kompensohen. Tash nuk janë proceduar pagat e grevistëve që ishin nga sektori i arsimi, por të shërbyesve civile po. Kjo është e padrejtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Ligji për grevën e përcakton qartë mënyrën e kompensimit për grevistët.

Kështu ka bërë të ditur ajo në konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

“Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo moskompensimin për ata që janë pjesë në grevë. Kjo ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencioneve buxhetore edhe për muajin e kaluar kur janë kërkuar azhurnimi i listave për punëtorët të cilët kanë qenë në grevë”.

Sipas saj, grevistët nuk duhet të paguhen për ditët në të cilat kanë qenë në grevë.

“Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët të cilët nuk janë në vendin e punës”.

Pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

Ndërsa grevistët akoma janë pa pagë për muajin shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore