Lajme

“S’ka kompensim për grevistët”, thotë Kusari-Lila


Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Ligji për grevën e përcakton qartë mënyrën e kompensimit për grevistët.

Kështu ka bërë të ditur ajo në konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

“Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo moskompensimin për ata që janë pjesë në grevë. Kjo ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencioneve buxhetore edhe për muajin e kaluar kur janë kërkuar azhurnimi i listave për punëtorët të cilët kanë qenë në grevë”.

Sipas saj, grevistët nuk duhet të paguhen për ditët në të cilat kanë qenë në grevë.

“Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët të cilët nuk janë në vendin e punës”.

Greva në arsim.

“Është përgjegjësi e agjencioneve buxhetore në këtë rast që të bëjnë azhurnimin e listës”, ka thënë ajo.

Kurse shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri mosekzekutimin e pagave për punëtorët që ishin pjesë e grevës, e ka cilësuar si vepër penale.

Teksa ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Në do të presim në një afat prej 5 ditëve që të ekzekutohen pagat, nëse brenda këtyre 5 ditëve të punës, nga dita e premte kur është dashur të ekzekutohen pagat, nuk ekzekutohen deri të enjten, ne do të bëjmë një kallëzim penal ndaj ministrit. Mosekzekutimi i pagave nga ministrit është vepër penale dhe ne në Prokurorinë Speciale do të bëjmë kallëzim penal”, ka thënë ai.

Ndryshe, kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka vendosur për seancën e radhës, e cila do të mbahet të enjten në të cilën është ftuar në interpelancë ministri i Financave, Hekuran Murati nga opozita.

Këtë e ka bërë të ditur anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

“Për presionin që e ka bërë në pushtetin lokal gjatë grevës. Për ne, roli i Qeverisë është që të ndihmojë Kosovën në situata të vështira dhe jo që me vendime arbitrare të pengojë punën e organizatave buxhetore në këtë rast të komunave dhe po ashtu të bëjë presion tek administrata shtetërore në reforma të ndryshme”, deklaroi Tahiri.

Tahiri, në një konferencë për media ka thënë se presioni politik tek grevistët ka nisur që nga 25 gushti duke e konsideruar ndalimin e pagave si “hakmerrje politike”.

Pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

Ndërsa grevistët akoma janë pa pagë për muajin shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore