Kosova

Nis viti i ri shkollor në Kosovë, pas një muaji grevë


Shkolla “Faik Konica” në Prishtinë.

Pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

“Nga të deklaruarit pro pezullimit të përkohshëm të grevës ( më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88 për qind, ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12 për qind”, ishte thënë në njoftim.

Më 23 shtator, Kuvendi i Kosovës kishte dështuar të miratojë rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për grevën në arsim.

Rrahman Jasharaj dhe Albin Kurti

Rezoluta e partisë opozitare, PDK-së, kishte paraparë që Qeveria të nisë negociatat me Këshillin grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) brenda 48 orëve dhe të gjendet zgjidhje për dhënie fund të grevës.

Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë ishin edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte zhvilluar takim me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, por që takimi kishte përfunduar pa ndonjë rezultat në këtë drejtim.

Këshilli grevist po kërkonte që paga e mësimdhënësve të rritet prej 100 euro, derisa ta themelojë qeveria Ligjin e Vonuar të pagave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore