Lajme

Ndahet nga jeta autori i karikaturave të Profetit Muhamed


Kurt Westergaard, një karikaturist danez, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare.

Karikaturat e Profetit Muhamed të realizuara nga ai zemëruan shumë myslimanë në të gjithë botën.

Lajmin e vdekjes së tij e dha familja, e cila sqaroi se ai vuante nga një sëmundje kronike.

Westergaard ishte karikaturist në gazetën konservatore “Jyllands-Posten” nga fillimi i viteve 1980.

Ai u bë i famshëm në 2005-ën, pas karikaturës së Profetit Muhamed në gazetë. Karikatura e Westergaard-it, e cila tregonte një bombë, ishte një nga 12-tat të botuara nga gazeta.

Synimi kryesor i kësaj gazete ishte kritika ndaj islamit.

Paraqitjet e Profetit Muhamed konsiderohen gjerësisht si tabu në Islam dhe fyese për disa myslimanë.

Karikaturat e gazetës nxitën protesta në Danimarkë, ndërsa qeveria mori ankesa nga ambasadorët e vendeve me shumicë myslimane.

Zemërimi arriti kulmin në protestat e shkurtit të vitit 2006. Ambasadat daneze u sulmuan dhe dhjetëra njerëz vdiqën nga trazirat.

Pas botimit të karikaturave, Westergaard mori kërcënime të shumta me vdekje dhe ishte një shënjestër e përpjekjeve për vrasje.

Ai së pari u fsheh, por më pas vendosi të jetonte hapur në një shtëpi të fortifikuar në Aarhus, qyteti i dytë i Danimarkës.

Në vitin 2008, shërbimi inteligjent danez njoftoi arrestimin e tre personave, të cilët u akuzuan për planifikimin e vrasjes së Westergaard.

Dy vjet më vonë, policia daneze kapi një 28-vjeçar somalez të armatosur në shtëpinë e Westergaard-it.

Mohamed Geele, 29 vjeç, u dënua për tentim vrasje dhe terrorizëm dhe u burgos me nëntë vite në 2011-ën.

Ai ka theksuar se nuk ishte penduar për vizatimin e tij satirik. Karikaturat e tij kishin prodhuar diskutim “të rëndësishëm” rreth pozicionit të Islamit, në vendet perëndimore me vlera laike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore