Përballje

NBA/ Tjetër humbje për kampionët, shënon fitore Miami Heat


Një tjetër xhiro u zhvillua në ligën amerikane të basketbollit, NBA, ku nuk mungoi spektakli, por as surprizat.

Kampionët në fuqi, Milwaukee Bucks janë mposhtur me vetëm tre pikë dallim nga Philadelphia 76ers, me rezultat 120:123.

Ndeshja ishte spektakolare, ku 76ers fituan çerekun e dytë me 11 pikë epërsi, të cilën arritën ta kontrollojnë në vazhdim të lojës, për të marrë një fitore të rëndësishme në udhëtim te kampionët.

Joel Embiid ishte më efikasi në këtë sfidë, i cili realizoi 42 pikë, 14 kërcime e pesë asistime.

Ndërsa te Milwaukee u dallua i përhershmi, Giannis Antetokounmpo, i cili shënoi 32 pikë, 11 kërcime e nëntë asistime.

Ndeshje shumë interesante u zhvillua edhe në “Spectrum Center Arena”, ku Miami Heat shënoi një fitore të vështirë në udhëtim te Charlotte Hornets.

Në fakt, për të marrë fitoren e tyre, liderët e Konferencës Lindore u desh që të luhej edhe dy herë nga pesë minuta, pasi që në dy periudhat rezultati ishte i barabartë, i cili në fund foli në të mirë të mysafirëve, me shifrat 107:111.

Miles Bridges i Charlotte ishte më i dalluari në këtë sfidë, i cili shënoi 29 pikë e 11 kërcime.

Ylli i Heat, Jimmy Butler, realizoi 15 pikë, 10 kërcime e tetë asistime, ndërsa lojë të mirë shfaqi edhe shoku i tij i skuadrës, Kyle Lowry, i cili kontribuoi me 25 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime.

Fitore të rëndësishme mori edhe Dallas Mavericks, të cilët mposhtën në udhëtim New Orleans Pelicans, me rezultat 118:125.

Luka Doncic shfaqi një ndeshje fantastike në këtë mbrëmje, i cili realizoi 49 pikë, 15 kërcime e tetë asistime.

Ndërsa për New Orleans, më i dalluari ishte McCollum me 38 pikë e pesë kërcime.

Në dy ndeshjet e tjera të kësaj mbrëmjeje, Los Angeles Clippers shënoi një fitore të thellë ndaj Houston Rockets me rezultat 142:111.

Ndërsa Washington Wizards mori një fitore të rëndësishme në udhëtim te Brooklyn Nets me shifrat 103:117.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore