Përballje

NBA/ Miami Heat mposhtet nga Phoenix Suns, Lakers pësojnë humbjen e radhës


Tjetër xhiro u zhvillua në ligën amerikane të basketbollit, NBA, ku pati mjaft spektakël.

Ndeshja më interesante u zhvillua mes Miami Heat dhe Phoenix Suns, e cila përfundoi në të mirë të këtyre të fundit, me rezultat 90:111.

Devin Booker ishte më i dalluari i sfidës, i cili realizoi 23 pikë, tetë kërcime e nëntë asistime. Ndërsa te Heat u dallua Duncan Robinson me 22 pikë.

Sa i përket renditjes në tabelë, Heat kryeson tabelën e Konferencës Lindore, derisa Suns gjithashtu prijnë në Konferencën Perëndimore.

Ndeshje tjetër interesante u zhvillua edhe në “Toyota Center”, ku Los Angeles Lakers assesi nuk po munden të këndellen.

Lakers pësuan nga Houston Rockets, me rezultat 139:130, shifra këto që erdhën vetëm pas vazhdimeve, pasi që koha e rregullt përfundoi 120:120.

LeBron James ishte fantastik në këtë sfidë, i cili realizoi “triple-duble” me 23 pikë, 14 kërcime e 12 asistime, por nuk mundi të evitojë humbjen e skuadrës së tij.

Ndërsa te Rockets, më i miri në parket ishte Jalen Green, i cili shënoi 32 pikë, tre kërcime e po aq asistime.

Ndërkohë, kampionët në fuqi të Milwaukee Bucks shënuan fitoren e gjashtë radhazi, të cilët mposhtën Atlanta Hawks me rezultat 124:115.

Edhe në këtë ndeshje, Giannis Antetokounmpo ishte fantastik, i cili realizoi 43 pikë, 12 kërcime e pesë asistime. Ndërsa te Atlanta u dallua Trae Young me 27 pikë e 11 kërcime.

Ndërkohë edhe Chicago Bulls u rikthyen te fitorja, të cilët mposhtën Detroit Pistons, me rezultat 107:114.

DeMar DeRozan ishte më meritori për këtë fitore, i cili shënoi 36 pikë, tetë kërcime e katër asistime.

Ndërkaq, basketbollisti i Boston Celtics, Jayson Tatum, ishte më i miri në fitoren e ekipit të tij me rezultat 101:115 ndaj Charlotte Hornets, i cili realizoi plot 44 pikë, pesë kërcime e tre asistime.

Rezultatet e ndeshjeve tjera të mbrëmjes:

Minnesota Timberwolves 132 – 102 Oklahoma City Thunder

Neë Orleans Pelicans 102 – 108 Orlando Magic

Dallas Mavericks 77 – 107 New York Knicks

San Antonio Spurs 104 – 119 Toronto Raptors

Sacramento Kings 100 – 106 Denver Nuggets

Los Angeles Clippers 115 – 109 Washington Wizards

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore