Përballje

NBA/ Clippers nuk kanë të ndalur, befasohet Utah Jazz


Liga më e fortë e basketbollit në botë, NBA vazhdoi të dhurojë spektakël edhe në orët e hershme të së premtes.

Los Angeles Clippers po vazhdojnë formën fantastike, duke marrë fitoren e gjashtë radhazi, ndërsa të shtatën në 11 ndeshje në total.

Kalifornianët mposhtën me rezultat të ngushtë 112:109, Miami Heat në një ndeshje ku Clippers përmbysën disavantazhin prej 17 pikëve të periodës së parë.

Basketbollistët më të dalluar të ndeshjes ishin Paul George me 27 pikë dhe pesë asistime te Clippers dhe Bam Adebayo me 30 pikë e 11 kërcime te Heat.

Ndërkohë befasoi Indiana Pacers, të cilët mposhtën Utah Jazz, brenda në “Salt Lake City”, me rezultat 100:111.

Në këtë fitore shkëlqeu Malcolm Brogdon, që e mbylli ndeshjen me 30 pikë, nëntë kërcime dhe tre asistime.

Ndërsa për Jazz ishin të pamjaftueshme 26 pikët e realizuara nga lideri i ekipit Donovan Mitchell.

Mëngjesin e së premtes, interesant ishte edhe takimi mes Philadelphia 76ers dhe Toronto Raportos, që përfundoi me fitoren e këtyre të fundeve me rezultat 109-115.

Fred VanVleet ishte më i dalluari te Raportos me 32 pikë e shtatë asistime, ndërsa te 76ers ishte Tyrese Maxey me 33 pikë e pesë asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore