Sport

Nagelsmann flet për të ardhmen e Sule-s te Bayern-i


Julian Nagelsmann-i, trajneri i ri i Bayern Munich-ut, vlerëson Niklas Sule-n, por gjithashtu e pranon se e ardhmja e 25-vjeçarit në Mynih është e pasigurt.

Tekniku ka folur për “Sport Bild” rreth të ardhmes së qendërmbrojtësit, kontrata e të cilit me Bayern Munich-un skadon vitin e ardhshëm.

“Unë mendoj se është e rëndësishme të jesh plotësisht transparent me lojtarët. Lojtarët, gjithashtu, duhet ta kuptojnë pikëpamjen e klubit për situatën kontraktuale”, tha tekniku.

“Kontrata e Niki-t skadon vitin e ardhshëm dhe ai nuk pati një sezon të kaluar të suksesshëm. Por, ai ka gjithçka që një qendërmbrojtës i klasit botëror duhet të ketë. Kjo gjë nuk harrohet”.

“Nëse ai punon në drejtim të përmirësimit, jam i sigurt që ai mund të kthehet më i fortë, veçanërisht pasi tani do të luajë nën urdhrat e një trajneri që e njeh që nga U-16”, tha Nagelsmann-i, i cili ka punuar me Sule-n gjatë kohës që drejtonte skuadrën e Hoffenhaim-it.

Bayern-i pagoi 20 milionë euro për ta nënshkruar qendërmbrojtësin nga Hoffenheim-i në vitin 2017.

25-vjeçari ka luajtur në total 133 ndeshje me Bayern-in, duke shënuar gjashtë gola dhe gjithashtu ka dhuruar tre asistime.

Sule me Bayern-in ka fituar katër trofe të Bundesligës, dy Kupa dhe tre Superkupa të Gjermanisë, një Ligë të Kampionëve dhe një Superkupë të Evropës, si dhe një Kupe Bote për Klube.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore