Kosova

Mustafi pas pranimit të detyrës vlerëson përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës


Besnik Bislimi dhe Ragmi Mustafi

Ragmi Mustafi, ish-Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, pas pranimit të pozitës së këshilltarit politik në zyrën e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ky vendim e rikonfirmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Mustafi është politikani i dytë nga Lugina e Preshevës që emërohet këshilltar politik në Qeverinë e Kosovës, pas ish-kryetares së Preshëvës, Ardita Sinani, e cila aktualisht shërben si këshilltare politike e kryeministrit Albin Kurti për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Kjo mundësi e jashtëzakonshme për të shërbyer Kosovën dhe Luginën në kuadër të ekipit z. Bislimi edhe njëherë rikonfirmon përkushtimin e Qeverisë së Republikës të Kosovës ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shkruar Mustafi në llogarinë e tij në “Facebook”, të mërkurën.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar me qëllim përkrahjen financiare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.

Pozita e shqiptarëve në Serbi është ngritur në Kongresin e Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Këshillin e Evropës dhe së fundi edhe në Parlamentin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore