Lajme

Musliu-Shoshi, Kurtit: Albin, veç dorëheqja mundet me të nda nga Asociacioni


Ariana Musliu Shoshi

“Albin, veç dorëheqja mundet me të nda nga Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, i ka thënë deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Marrë parasysh faktin që nuk ke shpëtim nga kauza që e abuzove ndër vite e që të solli në pushtet, dërgo propozim me parimet”, shkroi Musliu-Shoshi në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”, duke iu referuar kundërshtimeve të ashpra që kryeministri Kurti i kishte pasur gjatë kohës sa ishte në opozitë lidhur me Asociacionin.

Ndërkaq, ajo i tha Kurtit se për një gjë të tillë “të gjithë po të mbështesim”.

“Pra, Asociacion PA kompetenca ekzekutive, PA u shndërruar në pushtet të tretë, PA cenuar karakterin unitar të Republikës, e gjithmonë duke mbrojtë kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës”, nënvizoi Musliu-Shoshi.

Ndërsa, deputetja e PDK-së i kërkoi kreut të ekzekutivit që siç thotë ajo “të paktën një herë tregohu i përgjegjshëm”.

“Para të ardhmes së fëmijëve tanë e funksionimit të shtetit tonë!”, përfundoi ajo.

Ndryshe, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel me 27 shkurt, në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët u dakorduan për Marrëveshjen Bazë për Normalizimin e Marrëdhënieve.

Ky marrëveshja u plotësua me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me 18 mars.

Një ndër pikat e marrëveshjes parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, përfshirë këtu edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ndërsa, deri më tani janë paraqitur dy draft-statute për Asociacionin – të dyja këto në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, me 2 maj, në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it.

Njëri draft-statut u prezantua nga Ekipi Menaxhues, që kryesohej nga deputetja e parlamentit të Serbisë, Danjela Vujçiç.

Mirëpo, këtë draft-statut e refuzoi kryeministri i Kosovës, pasi që tha se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kurti paraqiti një draft-vizion të tij për Asociacionin – i cili është i ngjashëm me modelin kroat.

Ndërsa, nga bashkësia ndërkombëtare është kërkuar që të gjendet një mes ndërmjet këtyre dy draft-statuteve. Këtë e pohoi edhe i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi në vizitat e tij në të dy vendet respektive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore