Përballje

Mrekullia e Malinovsky-t jo e mjaftueshme për fitoren e Atalanta-s


Në një javë kur të dyja Inter dhe Napoli lëshuan pikë, Juventus kishte mundësinë të konfirmojë formën duke u bashkuar në grupin e skuadrave në luftën për titull.

Mirëpo skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri nuk e kishte fare të lehtë.

Ata ishin mysafirë në Bergamo, të skuadrës shumë solide të Atalanta-s.

Se ndeshja nuk do të ishte e lehtë, u pa qysh nga fillimi i takimit, kur Atalanta e nisi në sulm dhe e mbështeti më “shpinë për muri” Juve-n.

Mirëpo, përkundër tentativave, nga të dy anët, në 45 mintuat hapëse nuk pati gol.

E njëjta histori u duk se do ndodhte edhe në pjesën e dytë, deri 15 minuta para fundit të takimit.

Pas një goditje dënimi, nga rreth 35 metra largësi, Freuler vetëm e preki topin për Malinovsky-n që bëri mrekulli me një goditje të jashtëzakonshme.

Aty, u duk se Atalanta do të merrte një fitore të madhe, por ajo iu rrëshqiti nga duart 60 sekonda para fundit.

Një këndore nga Dybala, e gjeti shumë mirë Danilo-n në zonë i cili shënoi për të shmangur humbjen e Zonjës së Vjetër.

Pas 25 javësh, Juventus ka 44 pikë, kurse Atalanta me një ndeshje më shumë për të luajtur, ka 44 pikë në vendin e pestë.

Me këtë ndeshje mbyllet java e 25-të në elitën e futbollit italian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore