Kosova

Gërvalla i bie pishman, nga deklarimi se “s’ishte objektiv anëtarësimi në KiE”, tash thotë se po punon për “një takim të jashtëzakonshëm të Komitetit të Ministrave”


Foto: Albanian Post

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, më 25 qershor do të udhëtojë drejt Strasburgut të Francës për t’u takuar, sic tha ajo, me struktura udhëheqëse të Këshillit të Evropës, në mënyrë që të punojë që të ndodh “një takim i jashtëzakonshëm” i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

“Do të punojmë që të ndodh një takim i jashtëzakonshëm i Komitetit të Ministrave, duke shpresuar që pasi të ketë kaluar faza e zgjedhjeve dhe caktimi i personave të rinj në BE, do të kemi një fazë më të mirë për të ecur përpara”, tha Gërvalla gjatë një intervistë në Tëvë 1 të martën.

Por, kryediplomatja kosovare, një intervistë tjetër të dhënë për agjencinë e lajmeve Kosovapress, në fillim të këtij muaji, theksoi se objektivi i ekzekutivit kosovar nuk ka qenë anëtarësimi i plotë në KiE, por synim ishte vetëm faza e dytë e anëtarësimit drejtë KiE – pra votimin pro në Asamblenë Parlamentare.

“Ne e kemi synuar [anëtarësimin e plotë], mirëpo nuk është se ka qenë në objektivat e shkruara tonat, objektivi ynë ka qenë kalimi i kërkesës, pra marrja e votës së Asamblesë Parlamentare”, potencoi ajo.

Madje, Gërvalla ka refuzuar të quaj si “të dështuar” anëtarësimin e Kosovës në KiE, meqë në vlerësimin e saj, gjatë këtij viti Kosova ka arritur një “sukses të jashtëzakonshëm” në rrugëtimin drejt anëtarësimit në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ndryshe, Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se ka dërguar një letër në adresë së Këshillit të Evropës, ku zotohej se do të përgatisin një draft-statut të ri të Asociacionit e ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Një zotim i tillë u shpërfilli nga Këshilli i Evropës, ndërkohë Zyra e Presidentes reagoi ndaj këtij vendimi duke theksuar se ky institucion nuk u konsultua paraprakisht për letrën e dërguar.

Pas dështimit të anëtarësimit në KiE, Gërvalla në një konferencë për media njoftoi se oferta e Kosovës për Asociacionin nuk vlen më.

Ndërkohë ky mos-koordinim paraprak ndërmjet institucioneve shkaktoi një përçarje të thellë në mes të presidentes Osmani e ekzekutivit kosovar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore