Shqipëria

Shqipëria parashikon që borxhi publik të ulet në 55% të PBB-së deri në vitin 2027


Ministria e Financave e Shqipërisë tha të enjten se borxhi publik parashikohet të ulet në 55.2% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) deri në vitin 2027, nga 58.9% në 2023.

Parashikimi i ri është pjesë e kuadrit të rishikuar makroekonomik dhe fiskal për 2025-2027, i cili përshkruan prioritetet strategjike të qeverisë dhe pritjet afatmesme makroekonomike, tha ministria e financave.

Një version i mëparshëm i kornizës së parashikuar për 2027, raporti i borxhit publik do të arrinte në 58.2% të PBB-së.

Projeksionet e rishikuara tregojnë një rritje të të ardhurave, e cila pritet të arrijë në 28.8% të PBB-së në 2024 dhe 29.1% në 2027, krahasuar me 27.8% në 2023.

Vlerësimet faktike për vitin 2023, për rritjen nominale të rritjes ekonomike sollën një rishikim të treguesve kryesorë të borxhit dhe të deficitit, ku për vitin 2023 treguesi i borxhit shënoi nivelin 58.9% të PBB, treguesi i deficitit shënoi nivelin 1.4% të PBB dhe balanca primare 0.7% të PBB.

Projeksionet janë që në vitin 2024 të ardhurat totale të shënojnë një rritje duke arritur për herë të pare në 28.8% të PBB-së, ose 1% më shumë krahasuar me vitin 2023, i mbyllur në nivelin 27.8% të PBB-së, ndërsa projektohet që ato të arrijnë në 29.1% të PBB-së në vitin 2027.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është miratuar “Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike”, e cila iu nënshtrua procesit të konsultimit publik nga Ministria e Financave, duke nisur nga fillimi i muajit prill.

Në fokus ka marrjen e masave në funksion të forcimit të mëtejshëm të Financave Publike, një dokument i dakordësuar me Bashkimin Evropian, edhe në kuadër të procesit të integrimit.

Masat e parashikuara janë të kategorizuara në gjashtë shtylla kryesore, të cilat kanë të bëjnë me programimin makroekonomik dhe monitorimin e riskut, planifikimin e integruar strategjik dhe buxhetor, menaxhimin dhe mobilizimin e të ardhurave, kontabilitetin dhe menaxhimin e zbatimit te buxhetit, kontrollin e brendshëm financiar publik, si edhe mbikëqyrjen e jashtme.

Sa i përket shtyllës së parë, disa nga objektivat kanë të bëjnë me mirëmbajtjen dhe përmirësimin e mëtejshëm të sistemeve për zhvillimin dhe monitorimin e një politike të shëndoshë fiskale, realizimin e parashikimeve të avancuara makroekonomike, si edhe ndërmarrjen e praktikave sa më të qëndrueshme sa i përket menaxhimit të riskut fiskal.

Strategjia – lidhur me planifikimin e integruar dhe monitorimin e raportimin transparent – ka si objektiva përmirësimin e mëtejshëm të procedurave dhe praktikave të planifikimit strategjik të integruar dhe planifikimin buxhetor afatmesëm në të gjitha nivelet e qeverisjes, rritjen e monitorimit dhe raportimit transparent, si edhe një përfshirje edhe më të gjerë të publikut në proceset buxhetore.

Referuar të ardhurave, synohet rritja e mobilizimit të tyre përmes zhvillimit dhe zbatimit të politikave të avancuara tatimore, përmirësimi i mëtejshëm i sistemeve të menaxhimit të taksave, si edhe modernizimi i sistemeve të menaxhimit të riskut të administratës doganore, në përputhje edhe me kërkesat e BE-së.

Një tjetër objektiv, i lënë edhe nga FMN dhe i kërkuar tashmë edhe nga BE – është miratimi dhe zbatimi i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, me fokus rritjen e mirëadministrimit, shmangien e evazionit dhe thellimin e luftës ndaj informalitetit.

Kurse në shtyllën e katërt, reformat që synohet të ndërmerren synojnë forcimin e praktikave të menaxhimit të zbatimit të buxhetit, duke përfshirë përmirësimin dhe rritjen e përdorimit të Sistemit Informativ Financiar Qeveritar (SIFQ), zbatimin e reformave të Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit Publik, si edhe forcimin e raportimit të praktikave të menaxhimit të borxhit.

Ndërsa bazuar në kontrollin e brendshëm financiar, synohet të përmirësohen më tej sistemet për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik në përputhje me praktikat e pranuara nga BE-ja, si edhe forcimi i mëtejshëm i sistemeve të menaxhimit financiar për të absorbuar sa më mirë mbështetjen financiare të BE-së.

Sa i përket mbikëqyrjes së jashtme, disa nga objektivat e synuara në strategji kanë të bëjnë me rritjen e kontrollit dhe mbikëqyrjen e institucioneve të tjera në drejtim të menaxhimit të financave publike, ku përfshihen Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe KLSH.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore