Lajme

Kush është Mark Rutte, lideri i ri i NATO-s


Mark Rutte nuk është idealist.

Por kush është në të vërtetë ky lider holandez që pas pak ditësh do të bëhet zyrtarisht Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në vend të Jens Stoltenberg?

Një cinik i gatshëm për çdo gjë, siç demonstron marrëveshja e arritur të martën me kryeministrin hungarez, Viktor Orbán, të cilit në këmbim të mbështetjes së tij për nominimin, ai i siguroi se nuk do ta detyrojë vendin të marrë pjesë në planet e reja të aleancës për të mbështetur Ukrainën?

Ose një politikan i aftë që siguroi stabilitetin e Holandës në 13 vitet e tij radhazi si kryeministër, nga 2010 deri në korrikun e kaluar, dhe që në një samit të NATO-s në 2018 ishte në gjendje të qetësonte edhe zemërimin e Donald Trump?

I lindur në Hagë 57 vjet më parë, Mark Rutte është djali i një tregtari dhe një sekretareje.

Një pianist i dështuar, ai u diplomua për histori në Leiden dhe ishte lider i liberalëve të rinj të Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD).

Ndërsa filloi një karrierë të shkurtër si menaxher i burimeve njerëzore në Unilever dhe Calvé, ai filloi të ngjitej në partinë e tij, të cilën më pas e drejtoi nga viti 2006 në 2023, duke u bërë kryeministri më jetëgjatë në vendin e tij.

1.94 metra i gjatë, protestant, i pamartuar, me shtatë vëllezër, njëri prej të cilëve vdiq nga SIDA, Rutte njihet për jetën e tij modeste.

Ai jeton në të njëjtën shtëpi në Hagë që e bleu me miqtë në kohën djaloshare dhe lëviz me biçikletë (ose me një Saab të vjetër).

Madje si kryeministër ai vazhdoi të jepte mësime sociale në një shkollë të mesme një herë në javë dhe të merrte rregullisht nënën e tij të moshuar (motrën e gruas së parë të babait të Ruttes, i cili në koloninë aziatike u internua në një kamp japonez).

Në politikën kombëtare ai ka mundur “të mashtrojë” koalicionet e dobëta – pothuajse gjithmonë qeveritë e pakicave – dhe nga disa skandale ka dalë i padëmtuar, duke fituar pseudonimin “Teflon Mark”.

Në skenën ndërkombëtare ai u shqua si një liberal-konservator i tipit anglo-sakson dhe një mbështetës i masave shtrënguese.

Nëse dikur kishte pasur marrëdhënie të mira me Putinin, rrëzimi i aeroplanit MH17 nga ukrainasit pro-rusë, në të cilin udhëtonin gati 200 holandezë, ndryshoi gjithçka.

Për ditë me radhë ai bombardoi Putinin me telefonata për të marrë trupat dhe ishte koha e vetme kur ai qau si kryeministër (kur u kthyen trupat).

Po sikur Trump të kthehet?

Rutte jo vetëm që e qetësoi në një samit të NATO-s, por në Shtëpinë e Bardhë pati një familjaritet të tillë, saqë guxoi ta ndërpresë para gazetarëve teksa hipotezonte dështimin e negociatave për marrëveshjet tregtare mes SHBA-ve dhe BE-së.

Një negociator i aftë

Janë dy lëvizje të fundit për të cilat ai është më i kritikuar.

Njëra është pikërisht mënyra shumë lajkatare në të cilën ai mori po-në e ngurruesit Orban për emërimin e tij në NATO.

Ai i shkroi një letër në të cilën i kërkonte disi falje për komentet e bëra në 2021 kundër politikave anti-LGBTQ.

“Ose respektoni rregullat ose largohet nga BE. Duhet ta gjunjëzojmë”, tha ai asokohe.

Në vend të kësaj, në fund ai u ul në gjunjë dhe e siguroi Orbanin se si kreu i Aleancës do të punojë “për të ruajtur unitetin dhe për t’i trajtuar të gjithë aleatët me të njëjtin nivel mirëkuptimi dhe respekti”.

“Ai është shumë i mirë për të kërkuar falje – shpjegon Petra De Koning, gazetare e Nrc-së dhe autore e një biografie të botuar në vitin 2020 – Ashtu siç është i mirë për të studiuar të tjerët dhe për të kuptuar atë që është e rëndësishme për ta: a duan komplimente?”

A duan të përqafohen?

A duan që ai të tregohet i përulur, siç bëri me Erdoganin në Stamboll (gjithmonë për të marrë OK për emërimin e tij në NATO)?

Nuk ka një ego të madhe, edhe pse ndonjëherë ka shpërthime zemërimi në prapaskenë.

Si kryeministër ai ishte jashtëzakonisht fleksibël.

Ai punoi me të majtën dhe të djathtën për të qëndruar në pushtet.

Nuk është ideologjia që e lëviz atë.

Liberalizmi i tij në thelb është: lërini njerëzit të jetojnë jetën e tyre si të duan, përderisa respektojnë ligjin.

Në fakt, konflikti që ai pati me Orbanin për të drejtat LGBTQ është i pazakontë.

Por duhet mbajtur mend se në lidhje me tërheqjen ndaj Hungarisë, vetë sekretari aktual i përgjithshëm Stoltenberg e kishte garantuar Budapestin se ata mund të abstenonin nga ndihma e mëtejshme për Kievin.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore