Lajme

MPJD: Asnjë shtetas i Kosovës nuk ka vdekur nga tërmetet në Turqi


Tërmeti në Turqi.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka bërë të ditur se në mesin e viktimave nga tërmeti që ka goditur Turqinë nuk ka asnjë shtetas kosovar.

Sqarimi i MPJD-së vjen pas deklarimeve publike të kryetarit të Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve të Turqi, Evren Kaya se 70 shqiptarë janë në mesin e të vdekurve.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton se në mesin e viktimave nga tërmeti që ka goditur Turqinë nuk ka asnjë shtetas kosovar”.

Në komunikatën e Ministrisë është sqaruar se bëhet fjalë për familje/persona, që kanë shtetësi turke por janë me prejardhje të vjetër shqiptare.

Tutje, potencohet se ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, në vijim të komunikimeve me diasporën shqiptare në Turqi, përfshirë edhe me persona që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, ka kontaktuar dhe ka biseduar edhe me Even Kaya, gjatë javës së kaluar.

Për të njëjtin, thuhet se ka informuar ministrinë se “ai dhe familja e tij janë mirë dhe nuk kanë pësuar lëndime”.

Me datë 13 shkurt Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është kontaktuar nga një familje nga Kosova që ka arritur të largohet nga qyteti Gaziantep, e cila ka shprehur nevojën për fletë udhëtime për tu kthyer në Kosovë.

“Në pasditen e së hënës(13 shkurt), pas komunikimit sërishëm me ambasadën, familja kanë deklaruar se do të vendosin brenda dy ditësh se a do të udhëtojnë për Kosovë dhe rrjedhimisht të vazhdohet me përgatitjen e fletudhëtimeve”.

Gjithashtu, është nënvizuar se Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, si dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stamboll, janë në gjendje gatishmërie për t’u ofruar ndihmë qytetarëve të Kosovës që ndodhen në zonat e goditura nga tërmeti.

Nga ministria kanë publikuar edhe numrat telefonik përmes të cilëve mund të kontaktojnë të gjithë qytetarët e Kosovës që gjenden në Turqi: Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99 dhe Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91.

Numri i të vdekurve në Turqi të hënën ishte 31 mijë e 643, kurse numri i përgjithshëm i të vdekurve në Siri është rreth 3 mijë e 580.
Zyrtarët kanë ulur frekuencën e përditësimeve të numrit të vdekjeve dhe tani lëshojnë përditësime më të mëdha një ose dy herë në ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore