Lajme

Moskokëçarja e kryeministrit për kërkesat e NJSI/FIT: Sivjet patën të ardhura më të larta sesa presidentja


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka provuar të minimizojë protestën e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) të Policisë së Kosovës, ka thënë nëpërmjet një postimi në “Facebook” se secili pjesëtar i NJSI/FIT ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro e sivjet kanë pasur të ardhura më të larta sesa Presidentja e Kosovës.

Ai ka pretenduar se të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet kanë arritur shifruar e mbi 2 mijë e 200 eurove në muaj, përfshirë pagën bazë plus shtesat, derisa ka përmendur edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdojnë tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023). Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro.”, ka shkruar kreu i ekzekutivit.

Ai ka thënë se 2 mijë e 134 policë të Kosovës apo rreth 27 për qind sivjet kanë marrë më shumë se 1 mijë euro në muaj mesatarisht, ndërsa ka shtuar se janë 203 policë që, sipas tij, këtë vit kanë pasur të ardhura më të larta sesa kreu i shtetit. Në muajin qershor e korrik, ka shtuar ai, kanë qenë afër 700 pjesëtarë të njësitve elitare që kanë fituar më shumë se shefja e shtetit.

Policia e Kosovës

E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë justifikimin e tij duke thënë se Kosova është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë, derisa ka shtuar se Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit edhe përkundër sfidave buxhetore.

“Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë. Me marrjen e mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i kemi gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jo cilësor”.

Ministri Sveçla ka dhënë edhe disa shifra me qëllim të shpalljes së kërkesave të shprehura tash e një kohë nga pjesëtarët elitarë të Policisë së Kosovës sikurse diçka jolegjitime, derisa nuk ka tentuar t’i adresojë fare shqetësimet e NJSI-së. Megjithëkëtë, ai është zotuar se përkundër sfidave, do të angazhohen për shtet me “ata” që e kanë vullnetin.

E një muaj pune për një polic është 40 orë në javë (160 orë në muaj) dhe për këtë angazhim paguhet veç 525 euro – rroga bazë për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përfshirë ata të njësiteve elitare. Shtesa për rrezikshmëri ka qenë 215 euro, ndërsa ajo është ulur tash në 150 euro. Shtesa prej 100 eurove për “punë të veçantë” për njësitet elitare është hequr krejtësisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore