Shqipëria

Mos-bërja e Asociacionit është një litar që shtrëngon këmbët e Kosovës, sipas Ramës


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama theksoi se mos-bërja e Asociacionit është kthyer në një litar që shtrëngon këmbët e Republikës së Kosovës.

“Nuk duhet shkencë, po vetëm logjikë e ftohtë elementare për të kuptuar se ai asociacion, duke mos u bërë, është kthyer në një litar, i cili do të vazhdojë të shtrëngojë pa asnjë arsye të qenësishme këmbët e Republikës së Kosovës”, deklaroi kryeqeveritari në Kuvendin e Shqipërisë.

Rama shtoi se ka përsëritur qëndrimin e tij mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR-i, fokusimit tek suksesi e jo dështimi i planit tejet të favorshëm franko – gjerman dhe dhënies drejtim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kjo, si një nyje, e cila pikërisht pse ka marrë proporcione krejt të pamerituara për substancën që në të vërtetë ka, “nuk duhet mbajtur si një litar në këmbë, që  veç e pengon Kosovën në rrugën e saj drejt OKB-së, BE-së, NATO-s. Po duhet këputur një orë e më parë”, vijoi kryeministri shqiptar.

Sipas tij,  Kosova sot po rrezikon ta humbasë shansin historik që i jep Plani Franko-Gjerman, për të bërë progresin më kuptimplotë në luftën diplomatike me Serbinë, siç po humbet dita – ditës, edhe prej mos-bërjes së atij asociacioni, besimin dhe respektin e atyre që e njohën si shtet të pavarur.

“Ndërsa duke u bërë fakt i kryer, pikërisht ai asociacion kaq i mistifikuar si të ishte kali i rilindur i Trojës që aleatët strategjikë po duan ta fusin me hile në Prishtinë, do të kthehet në një litar në këmbët e Serbisë”, mendon ai.

Rama tha se nëse asociacioni bëhet si duhet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët, Serbia nuk do të lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur tërë këto kohë mes Brukselit e Washington-it.

Kjo, duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut dhe refuzimin me një çmim krejt të paarsyeshëm të një asociacioni komunash, “i cili i kyçur brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, do të ishte i zhveshur nga çdo potencial kërcënimi për de-stabilizim të shtetit të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore