Lajme

Molliqaj: Qeveria është ajo që po prodhon “fake news”, jo mediat


Dardan Molliqaj

Në leximin e Dardan Molliqajt, ish-sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje dhe tani kryetarit të Partisë Socialdemokrate, fjalimi në ditën e pavarësisë i kryeministrit, Albin Kurti, e paraqet atë si një “kryeministër të dezinformimit”.

“Në Fjalimin e Pavarësisë (2022) u sulmuan mediat dhe kundërshtarët politik për dezinformim (fakenews). Keqpërdori datën për ta përvjedhur propagandën”, shkruan Molliqaj.

Sipas tij, ajo cfarë po do Kurti nuk është e vërteta, por e vërteta e tij.

“Fjalimi nuk ishte thirrje për ndriçimin e të vërtetave, por krijimin e një të vërtete zyrtare. Pra, a nuk është duke u implikuar një e vërtetë e vetme, dhe çdo gjë tjetër është dezinformim?”.

Molliqaj shkruan në llogarinë e tij në Facebook, se ai në fakt e mendon krejt të kundërtën. Se janë pikërisht mediat e lira që po shpalosin dështimet e qeverisë.

“Gjysmë të vërtetat enden gjithandej, por ato nuk i rregullon dot Qeveria. Në anën tjetër, pa mediat e lira në vend të kërkesave për rritje pagash, do të ishim duke e ngrënë idilikën e ‘mrekullisë ekonomike’ të Qeverisë që na tregon se u rrit eksporti, por nuk na thotë sa u rriten importet”.

Se qeveria po prodhon “lajme të rreme” Molliqaj thotë se u vërtetua edhe me rastin e “rritjes së çmimit të energjisë”.

“Ky është rasti i fundit i tendencës për mashtrim, që nuk i shkoi gjatë. Paramendoni nëse nuk do të kishte media të lira dhe protesta qytetare? E vërteta zyrtare do të lulëzonte, apo jo?”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore