Kosova

“Mjetet e pashpenzuara nga komunat t’i kthehen shtetit”, ASK-ja – Qeverisë: Po e shkelni ligjin


Qeveria e Kosovës në projektligjin për buxhet i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, ka paraparë që mjetet e pashpenzuara të komunave të kthehen në buxhetin e shtetit.

Por, në Asociacionin e Komunave të Kosovës, shpresojnë që niveli qendror nuk do ia marrë komunave mjetet nga të hyrat vetanake.

“Shpresojmë që niveli qendror për fajin e vet nuk do ia marrë komunave mjetet nga të hyrat vetanake sepse me këtë veprim do shkelë ligjin për menaxhimin e financave publike atë për financa lokale por edhe me të dy këmbët do shkelë mbi kartën evropiane mbi vetëqeverisje lokale”, tha Sazan Ibrahimi, kryetar i AKK-së për KosovaPress

Qeveria parasheh që nëse të hyrat vetanake të një komune nuk shpenzohen gjatë një viti, ato do t’i merren dhe t’i dhurohen komunave tjera ose të përdoren në nivelin qendror.

Ky nuk është reagimi i parë i Ibrahimit për këtë çështje. Më 21 nëntor, ai bëri të ditur se kjo është qeveria e parë që po mundohet t’i marrë të hyrat vetanake të komunave.

“Kjo është e padrejte dhe është antiligjore, në historinë e Republikës së Kosovës është qeveria e parë e cila mundohet që të hyrat vetanake të komunave t’i marr dhe t’i transferoj ato në nivel qendror, është e pa drejt që mjetet e një komune t’i merren dhe t’i dhurohen një komune tjetër, sepse ato mjete janë marr nga qytetarët e asaj komune përkatëse”.

Një reagim ndaj buxhetit që është ndarë për Komunat e Kosovës, e kishte bërë edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Kritika ndaj buxhetit kishin adresuar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami, duke thënë se buxheti për vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të pagave e as rritjen e pensioneve.

Ndërsa Instituti GAP ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2023, duke i krahasuar ato me vitin 2022.

Sipas GAP-it, element që në vazhdimësi kanë ndjekur realizimin e buxhetit ndër vite, janë përsëritur edhe në vitin 2022 dhe në planifikimin për vitin 2023, e ato janë: dinamika e ulët e realizimit të investimeve kapitale, mos ndërlidhja e buxhetit me planifikimet afatmesme dhe afatgjata, përdorim i madh i linjave buxhetore pa destinim konkret, neglizhimi i perspektivës gjinore.

Më 28 tetor 2022, Qeveria aprovoi Projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2023, kurse Kuvendi e aprovoi në lexim të parë më 17 nëntor 2023.

GAP: Problemet që në vazhdimësi kanë ndjekur realizimin e buxhetit ndër vite, janë përsëritur edhe në vitin 2022

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore