Lajme

Tahiri, Qeverisë: Po grabitni të hyrat vetanake të Komunave të Kosovës


Besnik Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj buxhetit që është ndarë për Komunat e Kosovës.

Sipas Tahirit, “Qeveria po grabit të hyrat vetanake të Komunave të Kosovës”.

Madje, ai ka sqaruar se është cenuar edhe autonomia financiare e komunave.

“Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2023, me nenin 9, pika 6, ka cenuar autonominë financiare të komunave, ku theksohet se të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit 2022 dhe të pa shpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”.

Tahiri, ka bërë të ditur se për arsyeje politike ky ligj është tërhequr nga agjenda e Kuvendit.

“Në vend se të sigurohet financimi, saktësisht investimet e ministrive të linjës, me parime dhe kritere të qarta, nga vizioni politik i prezantuar me grantin e katërt për komunat, apo sipas Draft Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, ku vendosen parime dhe kritere në grantin për investimet kapitale në komuna, ligj ky që për motive politike është tërhequr nga agjenda legjislative”.

Gjithashtu është thënë se ky dëm shkon në drejtim të komunave sa i përket shërbimeve sociale.

“Ky veprim i Qeverisë dëmton dhe pamundëson, jo vetëm financimin e qëndrueshëm, por në veçanti financimin e shërbimeve sociale në komuna”.

Edhe, ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, buxhetin e Kosovës për vitin 2023 e ka konsideruar si shumë më të ulët sesa atë të viteve paraprake.

Kritika ndaj buxhetit kishin adresuar edhe ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami duke thënë se buxheti për vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të pagave e as rritjen e pensioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore