Lajme

Hoti e Bajrami kritikojnë Qeverinë për menaxhimin e buxhetit


Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, menaxhimin e buxhetit nga Qeveria e Kosovës e ka konsideruar si “dështimin më të madh ekonomik që është parë në dekada”.

Ai përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ka sqaruar se pse mund të ketë pasoja të mëdha.

“Sipas raportit të buxhetit për janar-shtator 2022, vetëm 21% e investimeve kapitale janë realizuar (158 mil nga 764 mil të planifikuara). Kjo është 29% më pak se më 2021 dhe 24% më pak se më 2020”.

“Kjo po na kushton shtrenjtë. Për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve kapitale, sot ekonomisë i mungojnë rreth 200 milionë euro në qarkullim”.

Ai tutje ka thënë se Qeveria se mos shpenzimi i mjeteve të mbledhura për projekte, do të dëmtoj qytetarët.

“Këta as nuk i shpenzojnë mjetet e mbledhura për projekte, e as nuk ua lënë qytetarëve. Pasojat po i bartim të gjithë. Sot në ekonomi ka rreth 500 milionë euro më pak për shkak të paditurisë”.

Ndër të tjera, Hoti ka theksuar se ka dikastera që funksionojnë me pak shpenzime kapitale.

“Ka ministri, siç është Ministria e Industrisë, me vetëm 5% realizim të shpenzimeve kapitale, apo Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave me 6%, Ministria e Ekonomisë me 13%, Ministria e Mbrojtjes me 15% etj”.

“Paratë e gatshme në llogarinë e Qeverisë kanë arritur në 678 milionë euro, dyfish më shumë sesa që është e nevojshëm. Rrjedhimisht, mund të ishte pezulluar akciza në naftë, si dhe përgjysmuar TVSH-ja në naftë dhe në mallra ushqimore, pa shkaktuar asnjë vështirësi buxhetore për Qeverinë”.

Sipas Hotit, “sikur të mos mblidheshin këto mjete vetëm sa për t’i mbajtur në llogari, sot ekonomia do të kishte edhe 300 mil euro në qarkullim”.

Edhe, deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami ka thënë se buxheti për vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të pagave e as rritjen e pensioneve.

Bajrami përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se një buxhet i tillë nuk i përshtatet një kohe të tillë.

“Kur Kosova po përballet me inflacion, Qeveria e Kosovës ka propozuar ‘buxhetin më të madh në histori’, ku nuk përfshinë rritje të pensioneve. Nuk ka paraparë as kosto për zbatimin e Ligjit të pagave. Pra, nuk ka paraparë rritje pagash, nuk ka paraparë as indeksim të pensioneve dhe pagave për normën e inflacionit”, ka shkruar Bajrami.

Madje, Bajrami deklaron se LVV është fokusuar në temën e targave.

“Kanë shndërruar dialogun me Serbinë në temë qendrore. Konfrontimin me SHBA-në dhe BE-në e kanë bërë përditshmëri. Dhe, s’kanë asnjë zgjidhje për ekonomi, s’kanë zgjidhje për arsim, s’kanë zgjidhje as për shëndetësi”.

Bajrami shtoi se, “ndoshta, partia në pushtet dhe komplet Qeveria po punojnë në video propaganduese se si ‘Kosova po bëhet si Kroacia?”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore