Lajme

Ministrja Nagavci për ngjarjet në Kamenicë: Po hetohet nëse policia tejkaloi kompetencat


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar për ngjarjet në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës. Ajo ka thënë se është njoftuar se Inspektorati Policor është duke e hetuar rastin nëse ka pasur tejkalim të kompetencave.

Banorët e këtij fshati, të dielen, kanë bllokuar derën e hyrjes së shkollës më qëllim për mos t’i lënë zyrtarët komunal që të vendosin brenda kësaj shkolle inventarin për fëmijët parashkollorë, që është pjesë e reformave në arsim të premtuara nga kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Për ta futur situatën nën kontroll është përdorur edhe sprej nga ana e zyrtarëve policorë.

Nagavci përmes një postimi në Facebook ka mohuar se ministria që ajo drejton ka ndërhyrë në situatën e krijuar mes komunës dhe banorëve.

“Më duhet ta bëjë të qartë edhe njëherë se si Ministre e Arsimit e kam obligim Kushtetues që ta realizoj të drejtën e çdo fëmije për shkollim dhe do të punojmë që asnjë fëmije të mos i mohohet kjo e drejtë. Ky duhet të jetë dhe qëllimi i të gjithëve, nuk ka asnjë arsyetim për faktin se më shumë se 440 fëmijë janë privuar nga kjo e drejtë”, ka shkruar ajo.

Ajo tutje ka shtuar se ka kontaktuar me ministrin e Punëve të Brendshme nga i cili ka thënë se është njoftuar se Inspektorati Policor është duke e hetuar rastin nëse ka pasur tejkalim të kompetencave.

“Kjo është një situatë e krijuar tash e një kohë në mes Kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe banorëve të disa fshatrave atje dhe nuk ka të bëjë asgjë me nivelin qendror. Ftoj komunën që të jetë në nivel të përgjegjësisë e të mos lejojë asnjëherë më të përsëriten situata të tilla. Prindërit dhe banorët, ndonëse janë përballur e po vazhdojnë të përballen me një situatë jo të lehtë, i lus të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të mos krijohen ngjarje si kjo sot e mbi të gjitha të mos rrezikohet siguria e fëmijëve. Fëmijët duhet të jenë në shkollë. Prindërit të kenë në vëmendje të parë kujdesin për fëmijët, e Kryetari duhet të jetë në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ajo.

Gjatë ditës, kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, ka akuzuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, që me qasjen e saj po hedh “benzinë në zjarr”.

“Nuk do ta besoja kurrë që në shekullin XXI një prind më përpara e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet. Për më shumë, Ministrja Nagavci me qasjen e saj po hedhë benzinë në zjarr. Kjo është e turpshme dhe e pafalshme”, ka shkruar ai.

Të dielën e 23 majit, në shkollën fillore të fshatit Shipashnicë e Poshtme, në komunën e Kamenicës, banorët e fshatit kanë bllokuar derën e hyrjes së shkollës më qëllim për mos t’i lënë zyrtarët komunal që të vendosin brenda kësaj shkolle inventarin për fëmijët parashkollorë, që është pjesë e reformave në arsim të premtuara nga kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore