Lajme

Kosovë: Situatë e tensionuar në Kamenicë, policia detyrohet të përdorë sprej


Të dielën e 23 majit, në shkollën fillore të fshatit Shipashnicë e Poshtme, në komunën e Kamenicës, banorët e fshatit kanë bllokuar derën e hyrjes së shkollës më qëllim për mos t’i lënë zyrtarët komunal që të vendosin brenda kësaj shkolle inventarin për fëmijët parashkollorë, që është pjesë e reformave në arsim të premtuara nga kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Këtë, për Albanian Post e ka bërë të ditur Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë tri patrulla policore mirëpo sipas Hashanit, situata paraqitet e tensionuar.

“Aty janë mbledhur rreth 50 banorë të fshatit në shenjë pakënaqësie, ku me këtë rast janë sulmuar zyrtarët komunal, dhe për ta futur situatën nën kontroll është përdorur edhe sprej nga ana e zyrtarëve policorë”, është deklaruar Hashani.

Kastrati përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka dhënë sqarime për protestën e organizuar nga prindërit.

Sipas tij, zyrtarët komunalë kanë qenë duke dërguar pajisje dhe inventar për çerdhen e këtij fshati.

“Ashtu siç e kemi stërthënë, objektet e shkollave të fuzionuara do të përdoren për qëllimet më të mira për komunitetin. Dhe kështu, ne sot dërguam pajisjet dhe inventarin për çerdhen e Shipashnicës së Poshtme e cila do t’u shërbente fshatrave përreth. Është paraparë që të punësohen rreth 12 punëtorë dhe që dy vitet e para të jenë pa pagesë për fëmijët”, ka thënë ai.

Kastrati po ashtu, ka thënë se është për keqardhje deri në ç’ masë është duke u manipuluar komuniteti “nga disa të badihavaxhinj”.

Ai ka fajësuar edhe ministren e Arsimit, Arberie Nagavci, pas vendimit të saj për organizimin e mësimit plotësues në këtë komunë.

“Nuk do ta besoja kurrë që në shekullin XXI një prind më përpara e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet. Për më shumë, Ministrja Nagavci me qasjen e saj po hedhë benzinë në zjarr. Kjo është e turpshme dhe e pafalshme”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, kjo protestë është komentuar edhe nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili e ka fajësuar Qeverinë Kurti, që siç pretendon ai, po përdor nxënësit, prindërit dhe mësuesit e Kamenicës si fushëbetejë “për inate e ego të sëmura pushteti”.

“Policia atje paska përdorë sprej ndaj banorëve që po mbrojnë shkollën nga mbyllja. Në vend që kryeministri e ministrja e Arsimit të ulen me kryetarin e komunës e të gjejnë zgjidhje për hapjen e shkollave në Kamenicë, ata po i përdorin nxënësit për të krijuar drama para zgjedhjeve lokale”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Riorganizimi në arsim në Komunën e Kamenicës ka filluar që nga gushti i vitit të 2019 dhe kjo iniciativë ishte kundërshtuar qysh nga fillimi nga ana e prindërve.

Në kuadër të këtij riorganizimi ishte planifikuar që cikli i ulët klasa 1-5 dhe cikli i lartë klasa 6-9 të ndahen në objekte të veçanta.

“Nga riorganizimi i shkollave do të mbesin të lira disa objekte në fshatra të ndryshme të Kamenicës. Ideja primare për shfrytëzimin e këtyre objekteve është hapja e Qendrave Mësimore aty ku është e nevojshme, hapja e çerdheve sipas nevojave të komunitetit, shndërrimi në biblioteka, shkolla profesionale. Qëllimi është që asnjë nga këto objekte të mos mbetet pa u shfrytëzuar”, thuhet në raportin mbi riorganizimin e shkollave ne komunën e Kamenicës.

Beteja e disa prindërve në Kamenicë dhe Komunës së Kamenicës kishte kaluar disa herë nëpër Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit në janar të këtij viti e kishte aprovuar ankesën e Komunës së Kamenicës për vazhdimin e fazës së tretë të reformës në arsim në këtë Komunë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore